Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e sotme në azilin e të moshuarve , ku Zyhdi Shehi 78 vjeç goditi me bastun dhe i shkaktoi vdekjen Virxhil Veshos 82 vjeç.
E teksa kanë kaluar disa orë nga ngjarja e rëndë, është zbardhur dhe dëshmia e të moshuarit që i shkaktoi vdekjen shokut të dhomës.
Ai para uniformave blu është shprehur se Virxhil Vesho e bullizonte dhe i zinte rrugën, dhe se këto janë bërë dhe shkak i debateve mes autorit dhe viktimës.
“Më bullizonte, më zinte rrugën”, mësohet të ketë thënë ai, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.
Ngjarja ndodhi në azilin privat të pleqve në Tiranë, në zonën e “Ali Demit” rreth orës 04:00 të mëngjesit. Pas një debati për “krevatin”, 78-vjeçari e qëlloi me bastun disa herë shokun e tij i cili fatkeqësisht gjeti vdekjen e menjëhershme. Më herët raportuam se të dy të moshuarit vuanin nga skleroza.
Ndërkohë, mësohet se autori i kësaj ngjarje të rëndë rezulton të jetë një figurë e shquar. Zyhdi Shehi, i lindur më 11 dhjetor 1946, në fshatin Bago të Kavajës, është një historian dhe shkrimtar i njohur për botime historike e letrare.
Vitin e kaluar ai u shpall edhe “Qytetar Nderi” i Kavajës, ku iu dorëzua titulli nga autoritetet lokale bashkiake. Në disa video të publikuara në rrjet nga kjo ceremoni shihet qartë që gjendja shëndetësore e Shehit nuk është e mirë.
