Procesi i votimit ka nisur në pesë bashkitë e vendit , Cërrik, Tepelenë, Berat, Mat dhe Vlorë, ku rreth 334 mijë qytetarë me të drejtë vote po zgjedhin kryebashkiakët e rinj pas vakancave të krijuara nga dorëheqje apo emërime të kryetarëve aktualë në poste të tjera.
Në Cërrik, janë hapur 57 qendra votimi për 38,724 zgjedhës. Zgjedhjet zhvillohen pasi ish-kryebashkiaku Andis Salla u emërua Ministër i Bujqësisë. Sot në garë janë tre kandidatë: Florenc Doka nga Partia Socialiste, Amarildo Hoxha si i pavarur i mbështetur nga Partia Demokratike dhe Eligert Hima nga nisma “Shqipëria Bëhet”. Cërriku ka pasur një histori elektorale të larmishme, në vitet 2015–2019 bashkia drejtohej nga Altin Toska i LSI-së në koalicion me PS, ndërsa nga 2019 e deri më sot, Andis Salla ka mbajtur drejtimin nën siglën e socialistëve.
Edhe në Tepelenë ka nisur votimi në 21 qendra, ku rreth 12 mijë qytetarë janë të thirrur në votime pas zgjedhjes si deputet të kryebashkiakut Tërmet Peçi. Për këtë bashki garojnë Gramoz Sako nga PS dhe Gabriel Guma, kandidat i pavarur i mbështetur nga opozita. Tepelena është një bastion historik i socialistëve, e drejtuar nga Tërmet Peçi që prej vitit 2011, ndërsa e vetmja fitore e Partisë Demokratike në këtë bashki daton në vitin 2007 me kandidatin Sevo Miçi.
Në Berat, procesi i votimit po zhvillohet në 116 qendra me 79,323 qytetarë me të drejtë vote. Kjo bashki shkoi në zgjedhje të pjesshme pasi Ervin Demo, që e drejtonte prej vitit 2019, u zgjodh deputet. Përballja është mes Ervin Cecës nga PS dhe Pavllo Shkarpës, kandidatit të pavarur të mbështetur nga PD. Berati ka qenë tradicionalisht nën drejtimin e së majtës, përveç periudhës 1996 kur kryebashkiake u zgjodh Milika Jaho e PD-së. Më pas qyteti është drejtuar për disa mandate nga socialistët Nikollaq Mata dhe Fadil Nasufi, ndërsa në vitin 2015 bashkia kaloi përkohësisht në duart e Petrit Sinajt të LSI-së, në aleancë me PS.
Në Mat, janë hapur 47 qendra votimi për 26,700 zgjedhës. Bashkia shkoi në zgjedhje pas zgjedhjes si deputet të Agron Malajt, ndërsa përballen Altin Bojni (PS), Eduart Brahilika (i pavarur, i mbështetur nga PD) dhe Suzana Pasha (e pavarur, e larguar nga radhët e socialistëve). Mat ka njohur rotacione të shpeshta politike, ku pushteti lokal është ndarë herë pas here mes dy forcave të mëdha: në 2007–2011 drejtimin e kishte Skënder Lleshi i PD-së, në 2011–2015 Adelina Farrici e PS-së, më pas Nezir Rizvani i PD-së deri në 2019, ndërsa katër vitet e fundit bashkia është drejtuar nga Agron Malaj i PS-së.
Ndërkohë, në Vlorë, një nga bashkitë më të mëdha të vendit, janë hapur 231 qendra votimi për 171,895 zgjedhës. Qyteti bregdetar shkoi në zgjedhje të pjesshme pas dorëheqjes së Ermal Dredhës, e cila pasoi kritikat publike të kryeministrit Edi Rama. Vlora është një ndër bastionet më të forta të majta, ku opozita nuk ka arritur të sigurojë asnjëherë fitore. Që nga viti 2003, qyteti është drejtuar nga socialistët Shpëtim Gjika, Dritan Leli dhe së fundmi Ermal Dredha, i cili dha dorëheqjen në shtator.
