Dyzet persona janë mbytur që nga 18 qershori, ndërsa përpiqeshin t’i shpëtonin të nxehtit në Francë, ku nata e kaluar ishte nata më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në vend.
Ndërkohë, pothuajse e gjithë Spanja u vu në gatishmëri sot, ashtu si edhe qytetet në Itali, ndërsa Britania po përgatitet për temperatura rekord, pasi pjesa më e madhe e Evropës është goditur nga një valë e të nxehtit dhe autoritetet po marrin masa të posaçme për të kufizuar efektet e temperaturave të larta.
Kjo është vala e dytë e të nxehtit që godet Evropën Perëndimore në më pak se një muaj. Shkencëtarët bien dakord se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po i bëjnë ngjarjet ekstreme të motit, veçanërisht valët e të nxehtit, më intensive.
Dyzet persona janë mbytur në Francë që nga 18 qershori
Vala e të nxehtit që po godet Francën ka shkaktuar “dyzet vdekje” nga mbytja që nga 18 qershori, “kryesisht të rinj”, njoftoi sot kryeministri francez Sebastien Le Corneille.
Është një “plagë e trishtueshme”, siç e përshkroi Le Corneille, i cili kryeson një grup pune ndërministror për t’u përballur me krizën, në ditën e shtatë të valës së të nxehtit në Francë.
Ministrja franceze e Sportit dhe Rinisë, Marina Ferrari, kishte bërë më parë thirrje për respektimin e rregullave të sigurisë. Duke shtuar se e kupton nevojën që njerëzit të “freskohen” dhe “të gjejnë strehë në ujë”, ajo bëri thirrje për “kujdes të madh në vendet ku njerëzit shkojnë për t’u larë”.
Nata e kaluar ishte më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në Francë
Nata nga e hëna në të martë ishte më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në Francë që nga fillimi i matjeve në vitin 1947, njoftoi sot shërbimi francez i motit Meteo-France.
Indeksi kombëtar i nxehtësisë (ITN) i temperaturave minimale mesatare në 30 stacione referimi ishte 21.6 gradë Celsius, sipas të dhënave të përkohshme të publikuara këtë mëngjes nga shërbimi kombëtar i motit. Rekordi i mëparshëm ishte 21.4 gradë, i regjistruar më 25 korrik 2019.
Temperatura më e lartë e regjistruar mbrëmë ishte 28.7 gradë Celsius në Pouzoz, Vendee.
Meteo-France vuri në dukje gjithashtu se dje temperatura mesatare maksimale në të gjithë vendin arriti në 37.8 gradë Celsius, duke e bërë atë "pasditen më të nxehtë" të regjistruar ndonjëherë. Rekordi i mëparshëm i përket valës historike të nxehtësisë së vitit 2003, me 37.7 gradë Celsius më 5 gusht të atij viti.
Mbrëmë, shërbimi kombëtar meteorologjik kishte njoftuar se temperatura mesatare për të gjithë ditën e djeshme në Francë kishte vendosur një rekord për muajin qershor, duke arritur në 29.2 gradë Celsius.
Alarm i kuq në 15 qytete të Italisë
Ndërkohë, Ministria italiane e Shëndetësisë shpalli të mërkurën alarm të kuq për valë të nxehti në 15 qytete, përfshirë Romën dhe Milanon, dhe tha se numri do të rritet në 16 nesër, të mërkurën. Në rast të një alarmi të kuq, ministria rekomandon ngrënien e vakteve të lehta, qëndrimin në shtëpi gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe freskimin me ujë.
Pesë persona u mbytën gjatë fundjavës në Gjermani
Vala e të nxehtit ka rritur numrin e mbytjeve aksidentale në Gjermani, me pesë vdekje të regjistruara gjatë fundjavës, tha policia.
Dy burra, të moshës 20 dhe 22 vjeç, u mbytën në liqene në Bavari dhe një grua 79-vjeçare në Detin Baltik. Dy persona u mbytën gjithashtu në liqene në Brandenburg dhe North Rhine-Ëestfalen.
Frikë për temperatura rekord në Belgjikë
Në Belgjikë, temperaturat pritet të jenë "më të lartat e regjistruara ndonjëherë" gjatë javës së ardhshme, paralajmëroi një zëdhënës i institutit mbretëror meteorologjik IRM.
Autoritetet franceze dhe belge kanë anuluar ose reduktuar shërbimet hekurudhore nga frika e dëmeve që mund të shkaktojnë mbingarkesë dhe vonesa.
