Hapësire reklamuese

Aktualitet

Gazetarja shqiptare njofton "zemërthyer" vdekjen e vëllait të saj: Ti nuk e fitove dot betejën, por u ngrite pas çdo sprove! Do të të kujtoj derisa rrugët të na kryqëzohen sërish  

Shkruar nga Newsbomb
Gazetarja shqiptare njofton "zemërthyer" vdekjen e vëllait
Vëllai i gazetares Juli Ndriko

Gazetarja shqiptare Juli Ndriko ndryshe nga herët e tjera kur ajo shkruan dhe flet për aktualitetin në Greqi, së fundmi ka njoftuar për lajmin që i ka thyer zemrën: vdekjen e vëllait të saj.

“Ka dhimbje që nuk përshkruhen me fjalë. Ka humbje që e lënë shpirtin pa zë. Sot i japim lamtumirën vëllait tonë të vetëm, njeriut që për 47 vite na mësoi çfarë do të thotë forca, durimi dhe dashuria për jetën”e nis reagimin e saj gazetarja Ndriko.

Gazetarja na zbulon se vëllai nuk mundi të sfidonte betejën me sëmundjen e rëndë, ndaj sot mbylli sytë përgjithmonë. Vëllai i katër motrave, babai i tre vajzave, ikja e tij nga kjo botë la pas një plagë të pashërueshme.

Teksa shkruan se tashmë të gjithë do të jetojnë me kujtimet që ai la pas, gazetarja përmbyll reagimin e saj duke theksuar se emri i vëllait të saj do të mbahet mend përgjithmonë, deri në ditën kur rrugët mes tij dhe familjarëve të tij të kryqëzohen sërish.

"Ti nuk e humbe betejën. Ti e fitove atë sa herë që u ngrite pas çdo sprove, sa herë që buzëqeshe mes dhimbjes dhe sa herë që zgjodhe të jetosh me dinjitet. Tani pusho i qetë. Ne do të mbajmë gjallë emrin tënd, kujtimin tënd dhe dashurinë tënde, deri në ditën kur rrugët tona të kryqëzohen sërish"shkruan Ndriko. 

Newsbomb.al i shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe të afërmve për humbjen e njeriut të tyre të zemrës.

Reagimi i plotë i gazetares Juli Ndriko:

Ka dhimbje që nuk përshkruhen me fjalë. Ka humbje që e lënë shpirtin pa zë.

Sot i japim lamtumirën vëllait tonë të vetëm, njeriut që për 47 vite na mësoi çfarë do të thotë forca, durimi dhe dashuria për jetën.

Ai nuk pati një rrugëtim të lehtë. Për vite me radhë luftoi me probleme të rënda shëndetësore. Përballoi sprova që shumëkush nuk do të mund t’i përballonte. Kaloi dy transplante, sfidoi dhimbjen, sfidoi frikën dhe, herë pas here, sfidoi edhe vetë fatin. Por kurrë nuk u dorëzua. Jetoi me guxim, me shpresë dhe me një buzëqeshje që fshihte beteja të mëdha.

Sot zemra e tij pushoi së rrahuri, por historia e tij nuk do të pushojë kurrë së jetuari në ne.

La pas tre vajza, krenarinë dhe dashurinë më të madhe të jetës së tij. La pas bashkëshorten që i qëndroi pranë në çdo stuhi. La pas prindërit që e deshën pa kufi, katër motrat që e kishin mbështetje dhe copë të shpirtit të tyre, nipër e mbesa, stërnipër e stërmbesa, miq e shokë të shumtë që sot qajnë largimin e një njeriu të rrallë.

Nuk po qajmë vetëm njeriun që humbëm. Po qajmë edhe të gjitha momentet që nuk do t’i jetojmë më me të. Po qajmë telefonatat që nuk do të vijnë më, buzëqeshjen që nuk do ta shohim më dhe praninë që e bënte çdo familje të ndihej e plotë.

Por mbi të gjitha, sot përulemi me respekt para jetës së tij. Para një njeriu që luftoi deri në frymën e fundit. Para një babai, biri, bashkëshorti, vëllai ,dajo dhe miku që la pas një trashëgimi dashurie që nuk do të shuhet kurrë.

Lamtumirë, vëllai ynë i dashur.

Ti nuk e humbe betejën. Ti e fitove atë sa herë që u ngrite pas çdo sprove, sa herë që buzëqeshe mes dhimbjes dhe sa herë që zgjodhe të jetosh me dinjitet.

Tani pusho i qetë.

Ne do të mbajmë gjallë emrin tënd, kujtimin tënd dhe dashurinë tënde, deri në ditën kur rrugët tona të kryqëzohen sërish.

Përjetësisht në zemrat tona.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese