Ligjvënësit francezë po përpiqen të arrijnë një kompromis për projektligjin që synon të ndalojë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën 15 vjeç, me synimin që ai të hyjë në fuqi në shtator, në fillim të vitit të ri shkollor.
Procesi po përshpejtohet pasi pushimet verore të Parlamentit po afrohen, ndërsa një komision i përbashkët mes Asamblesë Kombëtare dhe Senatit pritet të vendosë.
Mospajtimi kryesor lidhet me platformat që do të përfshihen në ndalim. Asambleja Kombëtare ka votuar për ndalimin e të gjitha rrjeteve sociale, ndërsa Senati propozon një “listë të zezë” me platforma specifike.
Platformat arsimore, shkencore dhe ato të zhvillimit të softuerëve me burim të hapur do të përjashtohen nga ligji.
Projektligji parashikon gjithashtu ndalimin e telefonave celularë në shkollat e mesme dhe është hartuar në përputhje me Aktin Evropian të Shërbimeve Dixhitale.
Presidenti Emmanuel Macron e ka mbështetur fuqimisht këtë masë, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit fizik dhe mendor të fëmijëve. Nëse arrihet kompromisi, ligji mund të votohet brenda javës, por hyrja në fuqi nuk mund të ndodhë para 10 gushtit, për shkak të afateve të njoftimit të kërkuara nga BE.
