Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u ka dhënë garanci vendeve aleate të NATO-s se Uashingtoni do të mbetet i angazhuar në Aleancën Atlantike.
Mesazhi është përcjellë gjatë takimit me dyer të mbyllura të liderëve në samitin e NATO-s në Ankara, sipas burimeve të cituara nga Reuters. Sipas njërit prej burimeve, Trump iu drejtua homologëve të tij me fjalët: “Ne duam të qëndrojmë me ju”.
Gjatë samitit, presidenti amerikan theksoi gjithashtu se SHBA-ja mbetet e gatshme të vijojë furnizimin me armë për vendet aleate. Burimet bëjnë me dije se ai nuk njoftoi përfundimin e marrëveshjes së përkohshme të armëpushimit me Iranin, ndërsa nuk preku as çështjen e Groenlandës, e cila në të kaluarën kishte shkaktuar tensione mes Uashingtonit dhe disa vendeve anëtare të NATO-s.
Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut, Trump mori sërish fjalën. Sipas një burimi aleat të cituar nga ANSA, ai u shpreh se ishte “shumë i impresionuar” nga deklaratat e liderëve të Aleancës.
“E ndjeva dashurinë në këtë dhomë”, mësohet të ketë deklaruar presidenti amerikan, duke shtuar se do të kishte preferuar që edhe mediat të kishin qenë të pranishme për të parë atmosferën që mbizotëroi gjatë takimit.
Në deklaratën përfundimtare të samitit, krerët e shteteve dhe qeverive të NATO-s njoftuan miratimin e më shumë se 50 miliardë dollarëve kontrata të reja për sektorin e mbrojtjes.
Po ashtu, liderët u zotuan të rrisin kapacitetet e përbashkëta të prodhimit ushtarak dhe të thellojnë bashkëpunimin me industrinë e mbrojtjes, me synimin për të përshpejtuar zhvillimin dhe inovacionin teknologjik.
Dokumenti përfundimtar parashikon gjithashtu vazhdimin e përpjekjeve për eliminimin e barrierave tregtare në sektorin e mbrojtjes mes vendeve anëtare, si dhe forcimin e partneriteteve industriale brenda Aleancës.
Në deklaratën finale, udhëheqësit e NATO-s riafirmuan angazhimin e tyre të palëkundur ndaj Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit, i cili përcakton se një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleancës.
“Një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve. Uniteti, solidariteti dhe forca jonë kolektive mbeten themeli i paqes, sigurisë dhe prosperitetit për rreth një miliard qytetarë të vendeve të NATO-s”, thuhet në deklaratën përfundimtare.
Në të njëjtin dokument, liderët ritheksuan se Aleanca do të vijojë të ndjekë një qasje të plotë 360-gradëshe për forcimin e aftësive parandaluese dhe mbrojtëse, në përgjigje të sfidave gjithnjë e më komplekse të sigurisë globale.
