Rasti i parë pozitiv i virusit Ebola është identifikuar në Francë. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se pacienti është një mjek humanitar që po kthehej nga një mision në Republikën Demokratike të Kongos, ku është dhe epiqendra e epidemisë. Ai u shtrua menjëherë në një spital të specializuar dhe gjendja e tij është e qëndrueshme.
Në Kongo, epidemia ka shkaktuar gati 300 viktima dhe mbi 1,000 raste të konfirmuara. Shkalla e vdekshmërisë është rreth 25.5%. Sipas autoriteteve, sëmundja vazhdon të përhapet në rajonet lindore, ndërsa janë raportuar raste edhe në Ugandë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron rrezikun e përhapjes së epidemisë në Afrikën Sub-Sahariane si të lartë, ndërsa në nivel global si të ulët.
Ministri i Shëndetësisë me anë të një publikimi në rrjetet sociale shprehet se pacienti është izoluar menjëherë dhe po trajtohet në kushte të sigurta biologjike. Autoritetet kanë nisur një hetim epidemiologjik për të identifikuar kontaktet e tij. Personat e kontaktuar do të qëndrojnë në izolim për 21 ditë dhe do të monitorohen nga agjencia rajonale e shëndetit. Ministri theksoi se Franca ka kapacitete të specializuara për trajtimin e sëmundjeve shumë ngjitëse dhe se situata po ndiqet me kujdes.
