Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, në një intervistë për Euronews Albania, komentoi incidentin ku një vajzë u ngjit në ambasadën izraelite dhe hoqi flamurin. Ai e cilësoi ngjarjen si një akt të stërvitur dhe të organizuar. Karamuço theksoi se vajza nuk hyri nga hyrja kryesore, por nga një hapësirë e pasme, duke treguar se veprimi ishte i menduar më parë.
Ai nënvizoi se filmimet e publikuara në rrjet tregojnë qartë se ky nuk ishte një veprim spontan i qytetarëve, por një shfrytëzim i momentit për të dërguar mesazhe të caktuara dhe për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë. Sipas tij, persona të tillë janë gjithmonë në pritje të një dobësie ose hapësire për të kryer akte të tilla, të cilat jo vetëm dëmtojnë reputacionin e vendit, por edhe njollosin vetë protestën.
“Është një vajzë e stërvitur që u ngjit vetë jo nga krahu i ambasadës, u fut prapa nga krahu i Shtëpisë me Gjethe. Nga lart e kanë filmuar dhe kanë shkruar çfarë bëri, iku. Tani edhe kjo është shumë e shëmtuar, për mua është shumë e shëmtuar.
Ajo vajza ka qenë me maskë, janë shoqëruar dy-tre të ngjashme, janë pyetur ku ke qenë, si ke qenë e të tjera e të tjera. Nuk janë qytetarët. Shfrytëzohet një moment i caktuar për të bërë këtë akt të shëmtuar.
Unë i kam thënë gjithmonë, këta janë në pritje dhe thonë ku mund të shikojmë një dobësi, një hapësirë që ne t’i japim mesazhet tona, që ne të dëmtojmë imazhin e Shqipërisë, që ne edhe nganjëherë të njollosim vetë protestën, sepse ka edhe nga ata që njollosin vetë protestën”, tha Karamuço.
