Sipas analistëve ushtarakë dhe politikë, Irani është përballur me goditje të ndjeshme nga sulmet izraelite, të cilat kanë dëmtuar infrastrukturën e tij ushtarake në rajon. Ndërkohë, ndikimi i tij përmes aleatëve në Liban (Hezbollah), Siri dhe Gaza (Hamas) është dobësuar gjithashtu.
Megjithatë, pavarësisht këtyre zhvillimeve, Irani mbetet një fuqi me potencial të konsiderueshëm për të shkaktuar dëme serioze.
Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar SHBA-në që të mos përfshihet në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke kërcënuar se një veprim i tillë mund të sjellë "pasoja të parikuperueshme" dhe të nxisë një "konflikt të përgjithshëm" në rajon.
Si pjesë e kërcënimeve të tij, Irani ka bërë të qartë se mund të godasë bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.
SHBA-të kanë një prani të gjerë ushtarake në të paktën 19 lokacione në rajon, përfshirë Bahreinin, Egjiptin, Irakun, Jordaninë, Kuvajtin, Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Një nga objektivat më të ndjeshme për Iranin është selia e Flotës së 5-të të Marinës Amerikane në Mina Salman, Bahrein.
Përveç kësaj, Irani mund të përpiqet të pengojë qarkullimin në Ngushticën strategjike të Hormuzit, një rrugë detare thelbësore që lidh Gjirin Persik me Oqeanin Indian dhe ku kalon afro 30% e furnizimit botëror me naftë. Veprime të tilla do të rrezikonin jo vetëm stabilitetin rajonal, por edhe ekonominë globale.
Një tjetër skenar i mundshëm është që Irani të ndërmarrë sulme kundër interesave të vendeve fqinje që i sheh si të afërta me SHBA-në, duke e bërë situatën potencialisht shpërthyese në të gjithë Lindjen e Mesme.


