Hapësire reklamuese

Ekonomi

Pensioni nuk mjafton për të jetuar, mbi 130 mijë të moshuar vazhdojnë të punojnë në Shqipëri edhe pas moshës 65 vjeç

Shkruar nga Newsbomb
Pensioni nuk mjafton për të jetuar, mbi 130 mijë të moshuar
Foto ilustruese

Numri i shqiptarëve që vazhdojnë të jenë aktivë në tregun e punës edhe pas moshës së pensionit është rritur gjatë vitit 2025, duke reflektuar ndryshimet demografike, por edhe nevojën e shumë të moshuarve për të siguruar të ardhura shtesë.

Sipas raportit të INSTAT për tregun e punës, numri i të punësuarve mbi moshën 65 vjeç arriti në 130,274 persona në vitin 2025, nga 119,862 që ishte një vit më parë. Kjo do të thotë se mbi 10 mijë persona më shumë vijuan të punojnë edhe pasi kanë kaluar moshën zyrtare të daljes në pension.

Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e tyre janë të vetëpunësuar në sektorin e bujqësisë. Sipas INSTAT, këta individë konsiderohen të punësuar edhe kur punojnë në fermat e tyre të vogla dhe prodhojnë kryesisht për vetëkonsum.

Rritja e numrit të të moshuarve që punojnë vjen në një kohë kur popullsia e vendit po plaket gradualisht dhe numri i personave në moshë pune po tkurret. Gjatë vitit 2025, popullsia 15 vjeç e lart ra në rreth 2 milionë banorë, ndërsa numri i personave ekonomikisht aktivë shënoi një rënie të lehtë.

Nga ana tjetër, pesha e popullsisë mbi 65 vjeç në grupin e personave ekonomikisht joaktivë mbetet dominuese. Sipas raportit, 51% e popullsisë ekonomikisht joaktive mbi 15 vjeç përbëhet nga persona që janë larguar nga tregu i punës për shkak të pensionit, raporton Scan Tv.

Ky fenomen mund të lidhet si me plakjen e popullsisë, ashtu edhe me faktin që një pjesë e pensionistëve, veçanërisht në zonat rurale, vazhdojnë aktivitetin bujqësor edhe pas daljes në pension. Në shumë raste, puna në fermë nuk shihet vetëm si burim të ardhurash, por edhe si pjesë e mënyrës së jetesës.

Megjithëse Shqipëria vijon të ketë një nga normat më të ulëta të papunësisë së viteve të fundit, të dhënat tregojnë se tregu i punës po ndikohet gjithnjë e më shumë nga ndryshimet demografike dhe emigrimi. Rritja e numrit të pensionistëve që vazhdojnë të punojnë është një prej treguesve më të qartë të këtij transformimi.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese