1 Qershori njihet ndërkombëtarisht si Dita e Fëmijëve, një festë kushtuar gëzimit, të drejtave dhe mbrojtjes së të miturve në mbarë botën.
Kjo datë u vendos zyrtarisht gjatë Kongresit të Federatës Ndërkombëtare Demokratike të Grave në vitin 1950 dhe filloi të festohej në të njëjtin vit në shumë vende. Ajo festohet gjerësisht në Shqipëri dhe vendet e tjera të Evropës Lindore si një ditë e dedikuar për të promovuar mirëqenien e fëmijëve dhe për t'i dhënë atyre vëmendjen që meritojnë.
Origjina e 1 Qershorit
Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve bazohet në dy ngjarje kryesore historike. E para është konfernca e Gjenevës, në gusht të vitit 1925, ku përfaqësues nga vende të ndryshme të botës u mbledhën në Gjenevë të Zvicrës për "Konferencën e Parë Botërore për Mirëqenien e Fëmijëve". Gjatë kësaj konference u miratua "Deklarata e Gjenevës për të Drejtat e Fëmijës". Kjo deklaratë kërkonte mbrojtjen e fëmijëve nga:Punësimi i detyruar dhe shfrytëzimi në punë, uria dhe mungesa e ushqimit dhe mungesa e qasjes në edukim.
Po në të njëjtën kohë kur diskutohej në Gjenevë, më 1 qershor 1925, Konsulli i Përgjithshëm i Kinës në San Francisko mblodhi një numër të madh fëmijësh jetimë kinezë për të festuar Festivalin tradicional të "Anijes së Dragoit". Ky gjest simbolik dhe humanizmi i treguar u bashkua me mesazhin e Gjenevës, duke e kthyer gradualisht 1 qershorin në një datë referencë.
Pas pasojave të rënda të Luftës së Dytë Botërore, ku miliona fëmijë mbetën jetimë, të pastrehë dhe të uritur, mbrojtja e tyre u bë emergjencë botërore.Në vitin 1949, Federata Ndërkombëtare Demokratike e Grave në mbledhjen e saj në Moskë propozoi që 1 qershori të shpallej zyrtarisht si "Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve". Po festa filloi të festohej zyrtarisht në rang global për herë të parë më 1 qershor 1950, prandaj edhe ajo ndihet si data zyrtare.
Dita ndërkombëtare e fëmijëve për një pjesë të vendeve të botës është 20 nëntor ndërsa për vendet e dikurshme të bllokut lindor është 1 qershori.
