Alda Bardhyli është larguar pas gjashtë vitesh nga drejtimi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, pas një vendimi të ministrit Blendi Gonxhja, i cili ka vendosur që posti i saj t'i besohet në vazhdim gazetares Arta Marku.
Në një reagim në rrjetet sociale, Alda Bardhyli se një nga prioritetet kryesore në krye të një institucioni të ri, ka qenë forcimi i politikave për librin dhe leximin, si një themel i domosdoshëm për zhvillimin kulturor dhe shoqëror të vendit.
"Libri nuk është vetëm një produkt kulturor, por një instrument i fuqishëm për edukimin, mendimin kritik dhe identitetin tonë kolektiv", thekson ajo, teksa shton se pas gjashtë vitesh në krye të QKLL, ka mbyllur me mirënjohje një rrugëtim të rëndësishëm profesional dhe njerëzor.
Alda Bardhyli shkruan se së bashku me një ekip të përkushtuar dhe në bashkëpunim me autorë, botues, përkthyes e aktorë të tjerë të fushës, kanë punuar për të ndërtuar dhe zbatuar politika që mbështesin krijimtarinë, nxisin leximin dhe e bëjnë librin më të aksesueshëm për të gjithë.
"Sigurisht, mbetet ende shumë për t’u bërë. Politikat për librin kërkojnë vazhdimësi, vëmendje dhe mbështetje të qëndrueshme institucionale, në mënyrë që të japin ndikimin e tyre afatgjatë në shoqëri", shton ajo.
Alda ndan një fotografi me gazetaren Arta Marku, e cila nga dje është edhe drejtuesja e re e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, duke shprehur bindjen se puna e nisur do të vijojë dhe do të thellohet më tej, dhe me besimin se libri dhe leximi do të mbeten gjithmonë në qendër të vëmendjes publike.
"Falenderoj Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve Blendi Gonxhe për besimin, dhe i uroj nga zemra suksese drejtueses së re, Arta Marku për të çuar më tej sfidat me librin në vend! Angazhimi im në fushën e kulturës do të vijojë", përmbyll Alda Bardhyli.

