Një lajm i trishtë është mësuar mesditën e kësaj të premte pasi është ndarë nga jeta në moshën 54-vjeçare këngëtari i njohur i popullores në Shkodër, Zamir Jakupi.
Lajmin e ka bërë publik vëllai i këngëtarit, i cili përmes një postimi të bërë në rrjet bën me dije se është ndarë nga jeta bilbili i këngës shkodrane.
“Me dhimbje të madhe ju njoftojmë ndarjen nga jeta të vëllait tonë Zamir Jakupi” shkruan Mondi në postimin e bërë.
Jakupi nuk arriti të fitonte betejën me sëmundjen e rëndë. Fatkeqësisht ai ka mbyllur sytë përgjithmonë mbrëmjen e djeshme duke lënë pas një plagë të pashërueshme për familjarët dhe të gjithë njerëzit që arritën ta njihnin ndër vite, falë talentit të tij.
Mësohet se Jakupi la pas gruan Suelën dhe 3 djemtë e tij, Smiraldin, Besardin dhe Eldinonin.
Deri më tani akoma nuk dihet kur do të zhvillohet ceremonia mortore, por pritet që së shpejti të jepet një njoftim i ri.
Njerëzit do ta kujtojnë gjithmonë Zamirin si një nga zërat që u jepte jetë dasmave në qytetet veriore të Shqipërisë.
Newsbomb.al shpreh ngushëllime për të afërmit, miqtë dhe kolegët për humbjen tragjike të njeriut të tyre të zemrës.
