Amaneti i fundit i Rexhep Qoses ishte i thjeshtë, të përcillej në banesën e fundit pa ceremoni publike, pa organizime dhe larg vëmendjes institucionale. Dhe ashtu u bë.
Akademiku i njohur u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, ndërsa familja e tij respektoi deri në fund dëshirën e tij për një lamtumirë të qetë, vetëm në rrethin më të ngushtë familjar.
Sipas njoftimit të familjes, varrimi është zhvilluar në heshtje, në praninë vetëm të familjarëve më të afërt, pa pritje mortore dhe pa ceremoni publike. Gjithçka është mbajtur larg vëmendjes, ashtu siç kishte lënë porosi vetë Qosja.
Me këtë amanet të fundit, ai zgjodhi të largohej në të njëjtën mënyrë siç kishte jetuar, larg zhurmës, por pranë njerëzve të tij më të dashur.
Rexhep Qosja lindi më 25 qershor 1936 dhe u formua si një nga figurat më të rëndësishme të jetës akadamike shqiptare. Ai ishte shkrimtar, kritik letrar, studiues i njohur, si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Gjatë jetës së tij, ai la pas mbi 50 vepra në fushën e letërsisë, kritikës dhe studimeve albanologjike. Me romanet, esetë dhe studimet e tij, ai ndikoi thellë në zhvillimin e mendimit letrar shqiptar dhe në mënyrën se si u kuptua identiteti kulturor shqiptar në kohët moderne.
Ndër romanet e tij më të njohura janë “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Një dashuri dhe shtatë faje”, “Nata është dita jonë” dhe “Bijtë e askujt”.
I njohur për stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe shpesh polemik, Qosja nuk hezitoi të hynte në debate të mëdha intelektuale për çështje të identitetit, historisë dhe kulturës shqiptare, duke u shndërruar në një nga zërat më të fuqishëm dhe më të diskutuar të kohës së tij.

