Eurovision 2026 po afron dhe organizatorët kanë zbuluar renditjen e paraqitjes për dy gjysmëfinalet që do të mbahen në Vjenë, Austri. Sipas programit, Gjysmëfinalja e parë do të zhvillohet më 12 maj, e dyta më 14 maj, ndërsa Finalja e Madhe do të mbahet më 16 maj.
Një risi e këtij edicioni është rikthimi i jurive profesionale në gjysmëfinale, krahas televotimit të publikut, praktikë që nuk ishte përdorur që nga viti 2022.
Në skenë do të ngjiten edhe vendet e njohura si “Big 5”, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, së bashku me Austrinë si vend pritës. Këto shtete kualifikohen automatikisht në finale, por do të performojnë edhe gjatë gjysmëfinaleve.
Shqipëria do të ngjitet në skenën e Eurovision 2026 në Vjenë me këngën “Nân”, të interpretuar nga artisti Alis. Performanca e vendit tonë është caktuar për Gjysmëfinalen e dytë, më 14 maj, ku Shqipëria do të dalë në skenë e 13-ta në renditje.
Konkurrenca pritet të jetë e fortë, me pjesëmarrës nga Bullgaria, Azerbajxhani, Rumania, Luksemburgu, Çekia, Armenia, Zvicra, Qiproja, Austria, Letonia, Danimarka, Australia, Ukraina dhe Malta.
Ndërkohë, Gjysmëfinalja e parë do të sjellë performanca nga Moldavia, Suedia, Kroacia, Greqia, Portugalia, Gjeorgjia, Finlanda, Mali i Zi, Estonia, Izraeli, Belgjika, Lituania, San Marino, Polonia dhe Serbia. Në këtë natë do të ngjiten në skenë edhe Italia dhe Gjermania nga “Big 5”.
