Zv.kryeministrja Albana Koçiu udhëtoi këtë të premte drejt Pogradecit, ku mori pjesë në homazhet e organizuara në nder të efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili humbi jetën një ditë më parë gjatë ushtrimit të detyrës.
Gjatë një deklarate për mediat, Koçiu shprehu ngushëllimet e saj për familjen, të afërmit dhe kolegët e efektivit, duke e cilësuar ngjarjen si një humbje të rëndë për Policinë e Shtetit dhe për të gjithë shoqërinë.
Ajo theksoi se humbja e jetës së Enea Mekollit përbën një moment të dhimbshëm reflektimi mbi sakrificat dhe përgjegjësitë që mbart detyra e mbrojtjes së rendit publik. Sipas saj, çdo incident që ndodh gjatë ushtrimit të detyrës është i rëndë, veçanërisht kur prek punonjësit e policisë që janë në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë publike.
“Në fakt humbja e jetës së dëshmorit të atdheut Enea Mekolli është nëj ngjarje e rëndë ashtu siç është i rëndë çdo incident që kryhet në funksion të ushtrimit të detyrës dhe mbi të gjitha në një detyrë kaq fisnike si mbrojtja e rendit publik.
Ngushëllime familjarëve, kolegëve, trupës së policisë së shtetit është një nga ato ngjarjet që na bëjnë të reflektojmë thellë mbi sakrificën e dhe përgjegjësinë që ushtrimi i kësaj detyre mbart duke përfshirë aty dhe të gjithë ngarkesën që familjarët, miqtë kolegët që kanë në momente të tilla. Ngushëllime të gjithëve se në fakt në këtë ditë është një reflektim për të gjithë shoqërinë për të garantuar më shumë përgjegjësi”, tha Koçiu.
