Marjana Koçeku, deputetja që u largua nga Partia Socialiste, ka folur për herë të parë për vendimin e bujshëm që mori dhe ka treguar se kur deklaroi daljen e pavarur, ka marrë shumë telefonata e mesazhe dhe interesim direkt në shtëpinë e prindërve.
Në një intervistë përballë gazetares Erla Mhilli në televizionin Euroneës Albania, Marjana Koçeku tregoi se për vendimin është "konsultuar" vetëm me ndërgjegjen dhe parimet të cilat i beson dhe e kanë ndihmuar të mos largohet asnjëherë prej të vërtetës.
"Mbasi kam marr vendimin, kam marrë shumë mesazhe e telefonata. Më kanë çuar dhe njerëz te shtëpia, te familja ime për të mësuar për vendimin tim. Politikanë të PS", tha ajo.
Deputetja, tashmë e pavarur, theksoi se nuk ka bërë asnjë komunikim privat me askënd dhe menjëherë pas vendimit e ka fikur celularin për tre ditë.
Të vetmit që i është përgjigjur, Marjana Koçeku tha se ka qenë kryeministri Edi Rama, me të cilin ka pasur disa replika por në fund janë ndarë në mënyrë "neutrale", ndërsa të tjerët as nuk i ka telefonuar mbrapsht e as nuk u është përgjigjur.
"Me kryeministrin Edi Rama kam komunikuar tre ditë pasi e kam marrë vendimin. Ka qenë vendim personal, që të mos ketë asnjë hapësirë ndikimi mbi atë që unë kam vendos. Vetëm pas 3 ditësh kam fol me kryeministrin Edi Rama. Ka pasur një sërë mesazhesh dhe telefonatash, por unë jam përgjigjur pas 3 ditësh.
E kam fikur telefonin për shumë ditë sepse kam pasur shumë telefonata. Vetëm me zotin Rama kam komuniku, kam pasur një replikë. Me asnjë tjetër. Askujt nuk i jam përgjigjur. Me zotin Rama ka qenë bisedë neutrale", vijoi ajo.
Më poshtë, një pjesë nga intervista e deputetes Marjana Koçeku:
Me kë u konsultuat?
Une jam konsultu vetem me ndërgjegjen dhe parimet të cilat unë i besoj. Ato ma kanë treguar rrugën gjithmonë dhe më kanë ndihmuar të mos largohem asnjëherë prej të vërtetës.
Ju kontaktoi kush?
Mbasi kam marr vendimin, kam marrë shumë mesazhe e telefonata. Më kanë çuar dhe njerëz te shtëpia, te familja ime për të mësuar për vendimin tim. Politikanë të PS. Unë nuk kam dhënë asnjë komunikim privat, sepse ka qenë tepër vonë. Unë kam kërku me i taku disa herë për zonën time, komunitetin tim, por nuk më janë përgjigjur. Pastaj ishte shumë vonë.
Kam kontaktu të gjithë ata që kanë kompetencë për qarkun tim, në nivel lokal dhe qendror. Edhe kur e kam takuar për herë të parë në podkast, ai e pranoi se nuk e kishte idenë se çfarë ndodhte në ato zona.
Tentuat t'ia komunikonit Edi Ramës?
Me kryeministrin Edi Rama kam komunikuar tre ditë pasi e kam marrë vendimin. Ka qenë vendim personal, që të mos ketë asnjë hapësirë ndikimi mbi atë që unë kam vendos. Vetëm pas 3 ditësh kam fol me kryeministrin Edi Rama. Ka pasur një sërë mesazhesh dhe telefonatash, por unë jam përgjigjur pas 3 ditësh.
Tentoi t'ju bindte?
Ai më paralajmëron se do mbetem vetëm dhe se nuk do më besoj askush, por unë i kam konfirmuar dhe i konfirmoj se nuk do mbetem vetëm sepse jam mësuar të jem e pavarur dhe nuk ka kthim pas në këtë vendim.
Telefoni i fikur?
E kam fikur telefonin për shumë ditë sepse kam pasur shumë telefonata. Vetëm me zotin Rama kam komuniku, kam pasur një replikë. Me asnjë tjetër. Askujt nuk i jam përgjigjur. Me zotin Rama ka qenë bisedë neutrale.
Përgjigja për kolegët?
Nuk janë reagime aspak të papritura. I kam vënë para një pasqyre me qytetarët dhe para një ndërgjegje nëse po e bëjnë mirë atë që po bëjnë. Nuk jam zhgënjyer aspak, ata kanë të drejtë për atë që mendojnë dhe si veprojnë.
Ka të tjerë në PS që kanë pakënaqësi?
Ka socialist që më kanë mbështetur privatisht, por nuk dua të përmend emra. Kam parë që brenda Grupit të PS ka shumë pakënaqësi. Koha do tregojë nëse ata do e kenë kurajon dhe besimin për me fol.

