Pas përfundimit të Samitit të NATO-s, një nga detajet që ka tërhequr më shumë vëmendje në mediat ndërkombëtare nuk lidhet vetëm me takimet diplomatike, por edhe me dhuratat e veçanta që presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u ka bërë liderëve pjesëmarrës.
Sipas raportimeve të mediave turke, Erdogan u dhuroi krerëve të shteteve dhe qeverive revolverë ceremonialë të personalizuar, të gdhendur me emrin e secilit lider. Bashkë me armët janë përgatitur edhe dokumentacionet përkatëse të eksportit, në mënyrë që ato të transportoheshin ligjërisht jashtë Turqisë.
Revolverët janë prodhuar posaçërisht për këtë rast dhe konsiderohen armë ceremoniale me vlerë të lartë, duke u cilësuar si një nga dhuratat më të veçanta diplomatike të samitit. Përveç tyre, liderët kanë marrë edhe një letër të firmosur nga Erdogan, si dhe librin në gjuhën angleze me titull "The Politics of Courage: Erdogan and the Rise of Turkiye".

Një nga rastet që ka ngjallur më shumë diskutime është ai i kryeministrit britanik, Keir Starmer. Sipas raportimeve, revolveri i dhuruar për të nuk ka mundur të dërgohet në Mbretërinë e Bashkuar, pasi legjislacioni britanik nuk lejon importimin e armëve të zjarrit në formën e tyre aktuale. Për këtë arsye, dhurata është lënë përkohësisht në Turqi deri në gjetjen e një zgjidhjeje ligjore.
Mediat evropiane raportojnë se për shkak të vlerës së tyre të lartë dhe karakterit ceremonial, revolverët pritet të përfshihen në inventarët zyrtarë të shteteve ose të ekspozohen në muze, në vend që të mbahen si pronë personale e liderëve.
Dhuratat e presidentit Erdogan janë komentuar gjerësisht si një gjest diplomatik simbolik, që pritet të mbetet një nga momentet më të veçanta të Samitit të NATO-s, pasi vlen të theksohet se në samitet e mëparshme një armë e personalizuar nuk është dhënë asnjë herë si dhuratë nga krerët e vendeve mikrpitëse.

