Deputetja Marjana Koçeku ka komentuar edhe incidentet e ndodhura gjatë protestës para Parlamentit javën e kaluar, duke u shprehur se do të ndihej e nderuar nëse protestuesit do ta qëllonin me vezë.
Koçeku deklaroi se qytetarët nuk do të qëllonin atë si individ, por institucionin e deputetes, ndërsa theksoi se, nëse ka qytetarë të pakënaqur me punën e saj, i fton ta shprehin pakënaqësinë edhe në këtë mënyrë.
“Unë, si deputete, do të isha shumë e nderuar nëse do të më gjuanin me vezë. Nuk do të më gjuanin mua si person, por institucionin e deputetes, ndërsa institucioni i Kuvendit u përket qytetarëve. Besoj se kjo është një shprehje e lirisë së tyre. Madje, i ftoj që, nëse do të jenë të pakënaqur me punën time, të më gjuajnë me vezë. Veza është simbol”, u shpreh Koçeku.
Më tej, deputetja i bëri thirrje qeverisë të ndalojë gjuhën e dhunës dhe denigrimit ndaj protestuesve.
“Për qeverinë është e rëndësishme të ndalet gjuha e dhunës dhe denigrimit ndaj protestuesve. Ata po ushtrojnë të drejtat e tyre dhe qeveria nuk ka asnjë të drejtë të ushtrojë dhunë verbale apo t’i denigrojë. Ajo që është më e rëndësishme është se protesta po përcjell një mesazh për mënyrën se si po bëhet politika dhe po qeveriset ky vend”, tha Koçeku.



