Ka përfunduar numërimi i kutisë së parë në KZAZ nr.67 në Berat, konkretisht në Qendrën e Votimit , që i përket fshatit Bilçë. Rezultatet e para tregojnë një epërsi të qartë për kandidatin e Partisë Socialiste, Ervin Ceca.
Sipas të dhënave zyrtare nga komisionerët në qendër, Ceca ka marrë 145 vota, ndërsa kandidati i pavarur i mbështetur nga opozita, Pavllo Shkarpa, ka siguruar vetëm 8 vota. Janë regjistruar gjithashtu 6 fletë votimi të pavlefshme.
Në qytetin e Beratit janë regjistruar gjithsej 61,082 zgjedhës, ndërsa në këtë proces kanë marrë pjesë 13,492 votues. Përballja në këtë bashki zhvillohet mes Ervin Cecës nga Partia Socialiste dhe Pavllo Shkarpës, kandidat i pavarur, i mbështetur nga Partia Demokratike.
Kutia e parë e numëruar duket se jep një sinjal të qartë për drejtimin e rezultatit, me Partinë Socialiste që kryeson bindshëm që në fillim të procesit të numërimit në Berat.
Bashkia e Beratit shkoi në zgjedhje të pjesshme pasi Ervin Demo, që e drejtonte prej vitit 2019, u zgjodh deputet. Berati ka qenë tradicionalisht nën drejtimin e së majtës, përveç periudhës 1996 kur kryebashkiake u zgjodh Milika Jaho e PD-së. Më pas qyteti është drejtuar për disa mandate nga socialistët Nikollaq Mata dhe Fadil Nasufi, ndërsa në vitin 2015 bashkia kaloi përkohësisht në duart e Petrit Sinajt të LSI-së, në aleancë me PS.


