Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të riformatohet dhe sektori i Turizmit do t'i kalojë një Ministrie të re. Mirela Kumbaro është larguar nga drejtimi dhe kryeministri Edi Rama ia ka besuar Sofjan Jaupaj, negociator i Shqipërisë në procesin e integrimit në BE.
Tashmë, ky dikaster do të ketë përgjegjësi vetëm Mjedisin dhe zëvendësministri aktual do të marrë drejtimin, duke pasuar në këtë post Mirela Kumbaron.
"Mirela do ta lërë stafetën e Turizmit, pas një pune plot mund dhe pasion për angazhimin e saj të palodhur, ndërkohë që Turizmi gjendet në një udhëkryq strategjik, në mes të ngjitjes së domosdoshme në një nivel tjetër, ndërsa Kultura do të ecë më shpejt.
Edhe Ministrinë e Mjedisit do ta drejtojë një burrë. Sofjan Jaupaj është negociator i Shqipërisë për kapitullin e rëndë që lidhet me Mjedisin. AI jo vetëm është një ndër njohësit më të mirë të anës teknike dhe ligjore të mjedisit, por është një nga shqiptarët më të apasionuar pas mjedisit.
Ai i ka ngjitur shkallët e karrierës një nga një si profesionist, i përkushtuar për të arritur në nivelin e zëvendësministrit aktual të Mjedisit, duke e miratuar plotësisht tani të vihet në një provë zjarri, pikërisht tani ku Shqipëria ka nevojë të rigjenerohet nga ana mjedisore", u shpreh Edi Rama.
Ndërkohë, kryesocialisti i besoi sërish Blendi Gonxhes, duke e mbajtur bashkëpunëtrorin e tij të hershëm që në Bashkinë e Tiranës, sërish në kabinet por me një portofol të ndryshuar. Ai do të drejtojë Ministrinë e Kulturës, Turizmit dhe Sportit, duke marrë Sektorin e Turizmit që u shkëput nga Ministria e Mjedisit; dhe tashmë dhe Sportin, që shkëputet nga Ministria e Arsimit.
"Do të konfirmohet në detyrë dhe Blendi Gonxhja, por jo me të njëjtin portofol. Erdhi koha që Turizmi t'i bashkohet Kulturës, ndërsa Mjedisi do të dalë si Ministri më vete, jo thjesht për peshën e jashtëzakonshme që ka në negociatat për anëtarësim, por për kujdesin e shtuar që ne do t'i kushtojmë në këtë mandat mbrojtjes së mjedisit si aseti ynë më i vyer.
Siç e ka treguar aftësinë drejtuese në krye të Ministrisë së Ekonomisë, kam besim se Blendi do të jetë ministri i duhur në këtë fazë për të kthyer Kulturën dhe Turizmin në dy anët e së njëjtës medalje krenarie.
Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit do t'i bashkohet dhe Sporti, ku duke filluar nga futbolli, duhet të shtyjmë që në nisje të këtij mandati të ri, një reformë për ngjitjen e sportit më të ndjekur në botë në një nivel tjetër", u shpreh kryeministri Edi Rama.


