Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas sulmeve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën përgjatë natës ndaj bazave bërthamore të zhvillimit të uraniumit në Iran.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në platformën “X”, kreu i qeverisë shqiptare është pozicionuar në mbështetje të presidentit Donald Trump duke theksuar se regjimi në Teheran përfaqëson një rrezik të pazakontë, të ndryshëm nga çdo shtet tjetër që posedon armë bërthamore, pavarësisht sistemit të tij politik.
“Ky nuk është thjesht një tjetër shtet me kapacitete bërthamore, as një diktaturë me ambicie për të zotëruar armë të tilla. Është një teokraci, e pajisur me një retorikë apokaliptike, e ngulitur në një traditë shtatëdhjetëvjeçare të etiketimit të kombeve të lira si “satanike”, dhe që bën thirrje të hapura për zhdukjen e tyre”, shkruan kryeministri ndër të tjera, duke e lidhur më tej këtë qëndrim të tij me historinë e Shqipërisë dhe rolin e saj aktual në skenën ndërkombëtare.
Kreu i qeverisë shqiptare ka evidentuar dhe njëherë qëndrimin e Shqipërisë në këtë konflikt, teksa ka shtuar se vendi ynë vijon të jetë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe beson te përpjekjet e Donald Trump në ndalimin e regjimit teokratik në Teheran që të zotërojë armë bërthamore.
“Si një shtet që ka dalë nga errësira e një regjimi teokratik brutal, dhe një anëtar krenar i botës së lirë dhe si një partner strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipëria shpreh mbështetjen e saj të palëkundur për përpjekjet e Presidentit Trump në ndalimin e regjimit teokratik në Teheran që të zotërojë armë bërthamore”, shkruan Rama ndër të tjera.
Kujtojmë se të shtunën mbrëma, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryen një sulm ajror të koordinuar ndaj tre impianteve bërthamore iraniane: Fordow, Natanz dhe Esfahan.
Ishte vetë presidenti Donald Trump, ai i cili konfirmoi operacionin "Çekani i Mesnatës" përmes rrjetit të tij social Truth.
“Kemi përfunduar me sukses sulmin ndaj tre objekteve bërthamore. Të gjitha avionët tanë janë larguar nga hapësira ajrore iraniane dhe janë në rrugë të sigurt drejt bazave. Fordoë, objekti kryesor, është goditur me një ngarkesë të plotë bombash. Asnjë ushtri tjetër në botë nuk do të kishte mundur ta bënte këtë. Tani është koha për paqe”, deklaroi ai teksa më tej në një fjalim të shkurtër nga Shtëpia e Bardhë sqaroi se sulmi kishte për qëllim ndalimin e kërcënimit bërthamor nga “shteti i parë që sponsorizon terrorizmin”.
Ai tha se objektet bërthamore iraniane janë thuajse plotësisht të shkatërruara, teksa i bëri më tej thirrje Iranit që të zgjedhë paqen.
Presidenti amerikan theksoi se ndaj objektit të Fordow, të njohur si “mali bërthamor”, avionët B-2 të Forcave Ajrore Amerikane hodhën bomba “bunker-buster” (sipas Fox News 6 të tilla) me peshë 14 ton secila. Ndërsa, ndaj impianteve të Natanz dhe Esfahan janë përdorur mbi 2000 raketa Tomahaëk, të lëshuara nga nëndetëse amerikane nga një distancë prej 650 kilometrash.
Postimi i plotë:
Ky nuk është thjesht një tjetër shtet me kapacitete bërthamore, as një diktaturë me ambicie për të zotëruar armë të tilla.
Është një teokraci, e pajisur me një retorikë apokaliptike, e ngulitur në një traditë shtatëdhjetëvjeçare të etiketimit të kombeve të lira si “satanike”, dhe që bën thirrje të hapura për zhdukjen e tyre. Në çdo drejtim, ky është një përjashtim i rrezikshëm, ndryshe nga çdo shtet tjetër që disponon armë bërthamore, pavarësisht sistemit të tij politik.
Si një shtet që ka dalë nga errësira e një regjimi teokratik brutal, dhe një anëtar krenar i botës së lirë dhe si një partner strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipëria shpreh mbështetjen e saj të palëkundur për përpjekjet e Presidentit Trump në ndalimin e regjimit teokratik në Teheran që të zotërojë armë bërthamore.


