Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ironizuar protestën e nisur nga qytetarët, e cila sipas socialistit tashmë është shndërruar në një protestë të Sali Berishës.
Përmes një postimi në Facebook, Balla ka publikuar një video nga Bulevardi, ku shihen qytetarët në protestë, ndërsa nuk ka kursyer tonet ironike për të komentuar mënyrën se si ajo është duke u zhvilluar.
Ai është shprehur se protesta nuk përfaqëson më qytetarët që e nisën atë, por se është marrë në dorë nga opozita dhe mbështetësit e saj.
Në reagimin e tij, Balla ka ironizuar edhe simbolin e flamingove, duke pretenduar se ato janë zëvendësuar në "sorra", një metaforë me të cilën ai i është referuar figurave që sipas tij po i bashkohen protestës nga radhët e opozitës.
"KJO TANIMË ËSHTË PROTESTA E SALIUT Protesta nuk është më e flamingove! Flamingot e bukura i kanë zëvendësur prurjet e kënetës opozitare, shtuar këtu për fund javat e plazhit edhe sorra inkubatorësh të urrejtjes nga Prishtina dhe Tetova, të cilët maskohen si shqiponja diaspore", shkruan Balla.
