Një ngjarje tragjike e ndodhur mbrëmjen e djeshme ka tronditur mbarë Deçanin pasi babë e bir humbën jetën teksa ishin duke pastruar makinën ë oborrin e shtëpisë, ku thuhet se kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike.
Lajmi i trishtë u bë i ditur nga kryetari i Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, i cili përmes një postimi të ndarë në rrjet ka reaguar i prekur nga ngjarja e trishtë.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të Xhemajl Mustafajt dhe birit të tij, Hasanit, nga fshati Maznik.
Në emrin tim dhe të Komunës së Deçanit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Mustafaj, të afërmve dhe gjithë banorëve të Maznikut. Në këto çaste të rënda, ndajmë dhimbjen me ju dhe lutemi që të gjeni forcë për ta përballuar këtë humbje të madhe.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Xhemajl dhe Hasan Mustafaj” shkruan Ramosaj.
Po ashtu, Policia e Kosovës ka dhënë detaje nga ngjarja e rëndë, për të cilën ka njoftuar se babë e bir, Xhemajl dhe Hasan Mustafaj, kanë humbur jetën pasi ranë në kontakt me rrymën elektrike teksa pastronin makinën në oborrin e shtëpisë së tyre.
“Hetuesit e Sektorit Rajonal pёr Hetime DRP-Pejё, kanё dalё nё vendngjarje, ku dyshohet se deri sa viktimat ishin duke pastruar veturën nё oborrin e tyre, kanё rёnё nё kontakt me rrymën, pas dёrgimit nё emergjencёn e spitalit rajonal nё Pejё, nga ekipi mjekёsor rreth orёs 21:20, ёshtё konstatuar vdekja e dy vikimave” është shprehur zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejë Driton Rugova, për mediat vendase.
Sakaq bëhet me dijet se viktimat janё dёrguar nё institutin e mjekёsisё ligjore nё Prishtinё, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijm.
Mësohet se Xhemajl Mustafaj është veteran i UÇK-së.
Ndarja nga jeta në mënyrë tragjike të babait dhe djalit të tij ka lënë pas një plagë të pashërueshme, sidomos për familjen e tyre.
Newsbomb.al i shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe të gjithë të afërmve për humbjen e dy njerëzve të tyre të zemrës.
