Është grabitur një nga vilat në pronësi të tenorit italian Andrea Bocelli, e cila është e lokalizuar në zonën bregdetare të Forte dei Marmi, i cili është një nga destinaionet më të njohura dhe luksoze të italisë.
Sipas mediave italiane, hajdutët kanë marrë bizhuteri, ora lukspze, çanta të markave të njohura dhe para në dorë, me një vlerë totale të përllogaritur rreth 500 mijë euro.
Në momentin e grabitjes vila nuk ishte e banuar nga famikja Bocelli, por ishte dhënë me qera për një familje amerikane e cila po kalonte pushimet. Bazuar në të dhënat e hetimeve të para autorët kanë përfituar nga mungesa e tyre gjatë mbrëmjes për të hyrë në banesë dhe për të vjedhur vetëm sendet me vlerë të lartë dhe që ishin të lehta për t’u transportuar.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur mes orës 21:00 dhe mesnatës, sistemi i alarmit nuk ishte aktivizuar, teksa autoritetet po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët, si edhe për të kuptuar nëse ata ishin duke studiuar më parë lëvizjet e banorëve të përkohshëm.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që shtëpia e familjes Bocelli shënjestrohet nga hajdutët, pasi në 2018-ën një tjetër tentativë grabitjeje në vilën buzë detit u pengua nga rojet private të sigurisë, ndërsa në vitin 2022 një tjetër pronë e tenorit në të njëjtën zonë u vu sërish në shënjestër, edhe pse ishte e pabanuar.
