Miliarderi shqiptar nga Kosova, Behgjet Pacolli ka bërë një reagim të fundit në llogaritë e tij, duke pohuar se pavarësisht "goditjeve pas shpine", ai nuk do të hakmerret por do të vazhdojë me punë, sepse sipas tij, kjo është përgjigja më e mirë për kundërshtarët.
Drejtësia shqiptare nuk ka mundur t'i japë një përgjigje përfundimtare pretendimeve të tij dhe aksionerit tjetër në minorancë, duke e detyruar Behgjet Pacollin të dalë herë pas here me sqarime se punimet në Aeroportin e Vlorës janë bllokuar.
Kompania e tij, Mabco, e cila edhe përse ka pjesën kryesore të investimit dhe aksioneve, sërish mbahet peng nga vendimet e gjykatave për shkak të ankesave të ortakut në minorancë, duke zbuluar edhe një absurd me gjykatat; shkalla e parë del kundër Gjykatës së Lartë.
"Jeta dhe përvoja e gjatë më mësuan se goditjet pas shpine rrallëherë më kanë ardhur nga kundërshtarët. Ato më erdhën nga njerëz që i kam pasur pranë, nga ata të cilëve u kam besuar dhe me të cilët kam ndarë rrugëtimin.
Shumëkush, pas zhgënjimeve, padrejtësive dhe përpjekjeve për t'ia mohuar mundin e një jete, do të ndalej. Do ta humbiste energjinë duke u ankuar ose duke kërkuar hakmarrje. Por unë kam zgjedhur një rrugë tjetër.
Të vazhdoj të ndërtoj. Të vazhdoj të krijoj. Të vazhdoj të hap dyer të reja, edhe kur dikush përpiqet t'i mbyllë ato.
Kam mësuar se përgjigjja më e mirë ndaj padrejtësisë nuk është dorëzimi, por puna. Jo ankesa, por rezultati. Jo urrejtja, por krijimi i vlerave të reja. Në fund, zhurma shuhet. Zoti sjell drejtësinë dhe veprat mbeten. Ditë të mbarë miqtë e mi të shtrenjtë", shkruan miliarderi Behgjet Pacolli.
