Hapësire reklamuese

Aktualitet

Operacioni i SPAK ku u godit grupi i fuqishëm kriminal, lihet në burg i arrestuari i vetëm! Florjan Musaj “kyç gojën" në GJKKO

Shkruar nga Newsbomb
Operacioni i SPAK ku u godit grupi i fuqishëm kriminal, lihet në burg
GJKKO

Një ditë pas aksionit të SPAK ku u godit grupi i fuqishëm kriminal që drejtohej nga Salvadore Aliu, GJKKO këtë të martë ka konfirmuar masën e arrestit në burg për Florjan Musajn, të vetmin të arrestuar në kuadër të një operacioni.

Musaj, ishte në listën e personave që ditën e djeshme GJKKO vendosi masë sigurie. Ai akuzohet për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash kryesisht përmes ndërtimit në Shqipëri.

Gjatë seancës në GJKKO, Musaj nuk ka preferuar që të japë informacion, teksa kërkoi që t’i caktohej një avokat. Gjykata vendosi që mbrojtësi ligjor i tij, të jetë avokati i shtetit Arben Peçi.

Ditën e djeshme SPAK bëri me dije se ka goditur një prej grupeve kriminale më të fuqishme të përfshira në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave.

Sipas SPAK janë lëshuar 10 masa sigurie “Arrest në burg” për shtetas shqiptarë të dyshuar si pjesë e grupit kriminal. Bëhet fjalë për: Nikoll Bibaj, ⁠Isa Aliu, ⁠Sokol Bibaj, ⁠Florjan Musaj, ⁠Armando Pacani, Denis Matoshi allias Eldi Dizdari, ⁠Naldi Yzeiraj, Oklid Aliu, ⁠Dritan Gjika, Shpëtim Aliu.

Nga hetimet rezulton se gjatë viteve 2019-2021 grupi kriminal ka shtrirë aktivitetin e tij në Brazil, Belgjikë, Holandë, Ekuador dhe vende të tjera, ndërsa dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 ton kokainë drejt tregjeve europiane.

SPAK bën me dije se gjatë hetimeve janë dokumentuar pesë episode të mëdha të trafikimit ndërkombëtar të kokainës, ku në total janë sekuestruar afro 9 ton lëndë narkotike. Mes tyre spikasin ngarkesa prej 4.1 tonësh kokainë në portin e Roterdamit, mbi 2 ton në Ekuador, si dhe sasi të tjera të konsiderueshme të kapura në Belgjikë, Holandë dhe Kolumbi.

Sipas prokurorëve të posaçëm, fitimet e siguruara nga trafiku i drogës janë transferuar më pas në Shqipëri dhe janë investuar në kompani ndërtimi, hoteleri, pasuri të paluajtshme dhe aktivitete të tjera tregtare me qëllim fshehjen e origjinës së tyre kriminale.

Në kuadër të operacionit është urdhëruar një nga sekuestrimet më të mëdha pasurore të viteve të fundit. Me vendim të Gjykatës së Posaçme janë vendosur nën sekuestro preventive plot 491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal i grupit.

Bëhet fjalë për dhjetëra kompani, qindra prona, vila luksoze, apartamente, njësi tregtare, hotele, toka, automjete, mjete lundruese dhe 209 llogari bankare. Mes pasurive të sekuestruara përfshihen prona në Tiranë, Durrës, Gjirin e Lalzit, Himarë, Sarandë, Shkodër, Lezhë dhe qytete të tjera të vendit.

Ndër asetet më të rëndësishme të vendosura nën sekuestro janë dhjetëra vila dhe apartamente në komplekse elitare, struktura hotelerie në zonat turistike të bregdetit, si dhe objekte me vlerë të lartë në kryeqytet.

Sipas SPAK, vlera paraprake e pasurive të sekuestruara llogaritet rreth 150 milionë euro, ndërsa verifikimet vijojnë për përcaktimin e vlerës së saktë të tyre.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese