Një aksident i rëndë me pasojë vdekje ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Dukat-Orikum, në vendin e quajtur “Fushë Dukat”.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:10, kur një furgon që transportonte punëtorë ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një bordurë betoni. Dyshohet se punëtorët po transportoheshin nga Tirana drejt zonës bregdetare.
Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën shtetasi Ilir Haka, 52 vjeç, ndërsa kanë mbetur të plagosur Saimir Haka, 22 vjeç, Qazim Haka, 44 vjeç, Sako Rexha, rreth 22 vjeç, si dhe një person tjetër.
Për shkak të deformimit të mjetit, është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse, të cilat kanë prerë pjesë të sediljeve për të nxjerrë të plagosurit, të cilët kishin mbetur të bllokuar mes llamarinave të furgonit.
Të plagosurit janë transportuar me autoambulanca drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa trupi i viktimës është dërguar në morgun e spitalit.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 06:10, në aksin rrugor Vlorë–Llogora, në vendin e quajtur “Fushë Dukat”, një automjet tip furgon, me drejtues shtetasin S. R., 22 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe ka dalë nga rruga.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje njëri prej pasagjerëve, shtetasi I. H., 52 vjeç.
Drejtuesi i mjetit dhe 3 pasagjerët e tjerë janë transportuar në spital, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
