Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka bërë publik bilancin e punës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.
AMP bën me dije se, gjatë periudhës janar–qershor të këtij viti, janë pezulluar nga detyra 24 efektivë të Policisë së Shtetit, ndërsa janë referuar në Prokurori 232 punonjës policie dhe 2 punonjës të Gardës së Republikës.
Po ashtu, 9 punonjës policie, 1 gardist dhe 1 punonjës i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit janë arrestuar në flagrancë.
Sipas AMP-së, gjatë kësaj periudhe është regjistruar edhe një numër i lartë kërkesash dhe denoncimesh, por shumica e tyre kanë rezultuar të pabazuara.
Në njoftimin e saj, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bën me dije se gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë administruar 752 kërkesa, nga të cilat 434 kanë rezultuar të pabazuara, ndërsa në 251 raste pretendimet nuk kanë mundur të provohen.
