Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratës së ministres serbe Snezana Paunoviç mbi Kosovën. Në një postim në rrjetet sociale, ai e cilësoi si “ndjesë të një monstre” tërheqjen e pjesshme të deklaratës, duke akuzuar se ministrja nuk ka reflektuar mbi përmbajtjen e saj.
Berisha tha se korrigjimi i fjalëve nga “spastrim etnik” në “deportim” tregon sipas tij vazhdimësinë e një mentaliteti racist. Ai e akuzoi Paunoviçin se me këtë qëndrim dëshmon se gjenocidi shihet si zgjidhje për problemet ndëretnike.
Deklarata e ministres serbe ka shkaktuar reagime të forta nga Komisioni Evropian, Komisionerja për Zgjerim, Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe, deputetë evropianë dhe personalitete në Serbi. Berisha kritikoi qeverinë shqiptare për mungesë reagimi.
Sipas tij, “ndjesa” e Paunoviçit dhe korrigjimi i deklaratës nuk e ndryshojnë thelbin e saj, duke e cilësuar si shprehje të racizmit dhe gjenocidit.
“Ndjesa e një monstre!
Miq, deklarata e Snezhana Paunoviçit, ministre në qeverinë e Aleksandar Vuçiqit, se ‘po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën’, shkaktoi reagime të shumta.
Ndaj kësaj deklarate, me të cilën kjo monstër dëshmonte se për të gjenocidi është mënyra e zgjidhjes së problemeve ndëretnike, reaguan ashpër zëdhënësja e Komisionit Evropian, Komisionerja për Zgjerim, Znj. Kos, Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe, deputetë evropianë, si dhe dhjetëra deputetë e personalitete në Serbi por, natyrisht, jo qeveria e Tiranës.
Ndaj të gjitha këtyre reagimeve, monstra e gjenocidit ‘kërkoi ndjesë’ dhe e ‘korrigjoi’ me cinizëm ekstrem deklaratën e saj, duke thënë se ajo duhej të kishte thënë ‘deportim’ dhe jo ‘spastrim etnik’, duke dëshmuar kështu se thelbi i moralit të saj është racizmi ndaj etnisë tjetër dhe gjenocidi.
Me këtë rast, Partia Demokratike dënon edhe një herë me forcën më të madhe deklaratat raciste, antishqiptare dhe çnjerëzore të ministres serbe, heshtjen si fija e barit të narkoqeverisë së Tiranës, si dhe përsërit kërkesën për shpalljen e saj ‘non grata’ dhe ngritjen e padisë për nxitje të gjenocidit ndaj saj.”, shkruan Berisha.
