Detaje të reja kanë dalë nga atentati i ndodhur mbrëmjen e djeshme në Sarandë, ku 50-vjeçari Thimjo Rubati mbeti i plagosur rëndë, pasi ndaj tij u qëllua me breshëri armësh zjarri.
Mësohet se dy persona, të maskuar me skafandra dhe që lëviznin me motor, e ndoqën 50-vjeçarin dhe qëlluan në drejtim të tij 9 herë me pistoletë. Disa plumba e kanë kapur Rubatin, duke e lënë në gjendje kritike. Fillimisht ai u transportua në Spitalin e Sarandës, ndërsa më pas u dërgua për trajtim më të specializuar në spitalin e Janinës.
Pas kryerjes së atentatit, autorët u larguan me shpejtësi dhe dyshohet se kanë ikur nëpërmjet detit me skaf, duke marrë me vete edhe motorin dhe sende të tjera, për të mos lënë gjurmë.
Sa i përket motiveve të atentatit, një nga pistat që po heton policia është lidhja e mundshme me dhunimin e oficerit Mihal Velço, ngjarje e ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes së të enjtes.
Po ashtu, bëhet me dije se 50-vjeçari ka qenë i vetëdijshëm pas sulmit, por nuk ka mundur të identifikojë autorët, pasi ka deklaruar se nuk i ka njohur personat që e qëlluan.
Rubati është një emër i njohur për drejtësinë, pasi ka qenë i arrestuar dhe i dënuar si në Greqi, ashtu edhe në Shqipëri, kryesisht për vepra që lidhen me kontrabandën.
Në vitin 2002 ai është dënuar për trafikim të të miturve, ndërsa në vitin 2016 u akuzua edhe për rrëmbimin e një vajze 16-vjeçare. Prej disa kohësh ai kishte dalë nga burgu në Greqi.
Ndërkohë, policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit, identifikimin e autorëve dhe përcaktimin e motivit të ngjarjes.
