Mjeshtri i njohur vlonjat i fyellit dhe culës dyjare, Vendim Kapaj është ndër personazhet më të përmendura ditët e fundit në media dhe në opinionin publik, pasi është bërë pjesë e stafit muzikor të filmit hollivudian “Odisea” me regji të Christopher Nolan.
Kompozitor fitues i Oscar-it, Ludwig Göransson udhëtoi në jug të Shqipërisë për të regjistruar polifoninë tonë dhe instrumentet tradicionale, duke i bërë ato pjesë të një prej produksioneve më të mëdha kinematografike të viteve të fundit.
Ai është frymëzuar nga polifonia shqiptare, ndaj vendosi të mos ndërtonte kolonën zanore të filmit mbi një orkestër klasike simfonike, por të kërkonte tinguj autentikë që t’i afroheshin sa më shumë botës së lashtë dhe ku mund ti gjente tjetër veçse në Vlorë, te fyelli dhe cula dyjare e Vendimit.
Njeriu që sot e kërkojnë të gjithë, në fakt është një qytetar i thjeshtë i Vlorës, një artist që mban titullin "Mjeshtër i Madh", ama që shteti shqiptar dhe institucionet e kulturës, në qytetin bregdetar por dhe në Tiranë, e kanë lënë në harresë.
Është Vendimi që vlonjatët e kanë parë të dhurojë tinguj magjikë me fyellin dhe culën dyjare, e kanë parë edhe të papunë, edhe duke pastruar qytetin e tij, por edhe Vendimi që shëtit rrugicave të Vlorës me biçikletë për të shitur peshk të freskët.
Në një kohë kur qeveria shqiptare dhe drejtuesit e institucioneve të kulturës paguajnë miliarda nga paratë e shqiptarëve për të sjellë në Tiranë artistë botërorë që të promovojnë vendin, personazhe të Hollivudit erdhën vet në Vlorë dhe kërkuan Vendimin.
Ata u mjaftuan me shoqërinë e thjeshtë të "Mjeshtrit të Madh", punuan bashkë me të, regjistruan dhjetëra orë melodi dhe vizituan nga afër barinjtë që në orën 4 të mëngjesit ngjiteshin në mal e në trastën e ushqimit mbanin dhe fyellin e culën dyjare, dhe nuk njoftuan askënd për vizitën në Shqipëri.
U mjaftuan me Vendimin e mirë e të thjeshtë të Vlorës.
Sot, kur premiera e filmit madhështor "Odisea" është mbajtur, kryeministri, ministra dhe përfaqësues të lartë të qeverisë e institucioneve krenohen me punën dhe arritjen e mjeshtrit vlonjat, por sapo kjo valë "mirënjohje online" të përfundoi, Vendimi do të jetë sërish i harruar nga shteti, duke shëtitur me dyrrotaken e tij rrugicave të Vlorës për të shitur peshk.
© Newsbomb.al

