Katërmbëdhjetë persona janë arrestuar në kushtet e flagrancës nga agjentët e antidrogës në Tiranë, në kuadër të një operacioni policor me fokus goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së drogës pranë shkollave.
Në vijim të hetimeve të kryera me metoda speciale, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg” për 14 shtetas, dhe masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për 1 shtetase, pjesëtarë të këtij grupi.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim 5 shtetas, të dyshuar si pjesëtarë të grupit, ndërsa u vu në pranga edhe 1 shtetas që u kap në flagrancë me armë zjarri pistoletë, si dhe u zbuluan ambiente të përshtatura për organizimin e lojërave të fatit.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të operacionit u sekuestruan 220 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, pjesërisht e ndarë në doza, qindra doza të dyshuara Cannabis Sativa, gati për shitje, 2 tavolina pokeri, fisha dhe çipsa që dyshohet se përdoreshin për organizimin e lojërave të palejuara, dhe 2 300 000 lekë të rinj të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.
Nga hetimet e deritanishme është dokumentuar me prova ligjore se pjesëtarët e këtij grupi kriminal, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shitnin lëndë narkotike në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës, kryesisht pranë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme.
U ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata, për shtetasit G. Gj., 41 vjeç; A. H., 39 vjeç; K. M., 25 vjeç; K. K., 22 vjeç; P. K., 35 vjeç; A. M., 51 vjeç; A. C., 33 vjeç; R. Q., 31 vjeç; R. M., 32 vjeç; E. Sh., 43 vjeç; S. Z., 32 vjeç; A. H., 27 vjeç; A. C., 22 vjeç dhe G. M., 28 vjeç, si dhe masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasen F. Gj., 38 vjeçe.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit: M. Gj., 34 vjeç; O. N., 30 vjeç; E. A., 24 vjeç; E. S., 19 vjeç dhe K. S., 41 vjeç. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre. Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 22 vjeç, të cilit iu gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion.
Ky operacion është rezultat i një hetimi të gjatë, në kuadër të të cilit, në periudha të mëparshme, janë finalizuar edhe disa operacione të tjera policore, me rezultat arrestimin e 7 shtetasve të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
