Avokati i njohur dhe dikur ish-ministër i Drejtësisë i Shqipërisë, Eduard Halimi ka bërë një sqarim shterues të situatës në Aeroportin e Vlorës, duke publikuar 7 konkluzionet përfundimtare të Gjykatës së Lartë, pasi vendimi është shpallur dje dhe u është njoftuar të gjitha palëve.
Ai është një nga tre avokatët e studios ligjore që mbrojti interesat e biznesmenit Behgjet Pacolli në Gjykatën e Lartë dhe i siguroi fitoren, duke vënë në dispozicion të Kolegjit Civil të gjitha provat dhe fakte që rrëzojnë pretendimet e ortakut me 2% të aksioneve, "2A Grup", etj.
Pasi publikon të gjitha konkluzionet përfundimtare të Gjykatës së Lartë dhe sqarimet për çdo vendim që është marrë, avokati Eduard Halimi bën dhe një analizë shteruese personale, duke theksuar se shteti shqiptar duhet t'i kërkojë falje biznesmenit Behgjet Pacolli për veprimet dhe mosveprimet e autoriteteve shtetërore, dhe ta lërë të punojë.
NGA EDUARD JALIMI: SI TA KUPTOJMË ATË QË PO NDODH NË AEROPORTIN E VLORËS
7 KONKLUZIONET E VENDIMIT NR. 338, DATË 26.05.2026, TË KOLEGJIT CIVIL TË GJYKATËS SË LARTË DHE NJË ANALIZË E SHKURTËR LIGJORE.
Ka pasur një labirinth ligjor prej tetorit 2025 të ngritur dhe bazuar në narrativa të rreme lidhur me atë që po ndodh në Aeroportin e Vlorës. Dje na u komunikua me email vendimi i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë dhe duke qënë se kjo vepër do i përkasë shqiptarëve në fund të koncesionit dhe ka interes publik të shtuar ndaj asaj që po ndodh vendosa të shkruaj disa qartësime të natyrës ligjore. Me vendimin e saj, të mbipushteteshëm, Kolegji Civil Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë i dha përgjigje përfundimtare pretendimeve të ngritura nga shoqëria “2A Group” sh.p.k., që ka 2% te kuotave, duke arritur ne konkuzionet si më poshtë:
1. Pozita juridike e palëve Mabco 98% dhe 2A (2%) duhej vleresuar nga gjykatat e ulta dhe MIE jo si pozitë/konflikt i zakonshëm por që i nënshtrohet ligjit për koncesionet dhe MiE duhet të ndërhyjë kur sheh pengesa
Konflikti ligjor mes ortakut me 2% dhe ortakut me 98% të kuotave të VIA-së nuk është një konflikt i një shoqërie të thjeshtë e të zakonshme që mund të shihet vetëm në raport me ligjin për shoqëritë tregtare, ai duhet parë domosdoshmërish i lidhur me ligjin për koncesionet dhe duhet trajtuar i tillë nga gjykatat dhe autoritetet (para. 44).. Pozita juridike e palëve në proces “Mabco Constructions SA” dhe “2A Group” duhet vlerësuar në raport edhe me dispozitat përcaktuese të ligjit nr. 125/2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, pasi ka rezultuar se këto shoqëri përtej rregullimit ligjor nën kuadrin e përcaktimeve të zakonshme të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” kanë krijuar shoqërinë “VIA” SHPK me fokus vetëm ndertimin. (prg 45) Ortakët e shoqërisë nuk ushtrojnë një veprimtari të zakonshme tregtare, por janë Bashkim Operatorësh Ekonomikë që kanë si qëllim zbatimin e një kontrate koncesionare me Shtetin, sipas ligjit nr. 125/2013 "Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat". Si i tillë, Enti Prokurues, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ruan të drejtën dhe detyrimin të ndërhyjë në interes të ligjit dhe të interesit kombëtar, nëse vlerëson se mosmarrëveshjet ndërmjet ortakëve cenojnë elementet e kontratës koncesionare (para. 46).
2. Pezullimi i plotë të së drejtës së votës së ortakut mazhoritar përvecse i paligjshem ka sjellë neutralizimin e veprimtarisë së Mabcos.
Vendimet e gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit që kanë pezulluar të drejtën e votës së ortakut mazhoritar "Mabco Constructions" S.A. për çdo vendimmarrje të shoqërisë janë të paligjshme dhe kanë sjellë de facto pamundësinë e Mabco-së për të ushtruar angazhimet e marra sipas kontratës koncesionare (para. 67). Kolegji deklaroi përfundimisht se pezullimi i plotë i të drejtës së votës, i vendosur me vendimet nr. 17959/2025 të gjykatës së shkallës së parë dhe nr. 185/2026 të gjykatës së apelit, është i paligjshëm dhe duhet rrëzuar. Gjykata parashtron se vendimi nr. 1777/2025 i Gjykatës së Apelit, i cili kishte pezulluar të drejtën e votës së Mabco-së vetëm për tjetërsimin e 47% të kuotave ndaj të tretëve, mbetet në fuqi si vendim i formës së prerë, pasi asnjë palë nuk e rekursoi atë (para. 70).
3. Ortaku me 2% nuk legjitimohet për kërkimin e përjashtimit të ortakut mazhoritar
"2A Group", si ortak me 2% të kuotave, nuk duhej të legjitimohej dhe nuk legjitimohej për të kërkuar përjashtimin e ortakut me 98% të kuotave (para. 43). Duke zotëruar vetëm 2% të kuotave, "2A Group" nuk arrin as pragun minimal prej 5% të parashikuar nga neni 84 i ligjit nr. 9901/2008 për thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme dhe, rrjedhimisht, nuk gëzon legjitimimin procedural prima facie për të vënë në lëvizje gjykatën me kërkesën për përjashtimin e ortakut. Ky konkluzion është përfundimtar.
4. Ortaku i pakicës (2A group) nuk ka asnjë mundësi ligjore të mbajë koncesionin pasi është në mungesë të plotësimit të kritereve teknike.
"2A Group", edhe sikur të realizonte pretendimin e saj për 47% të kuotave pas gjykimit në themel, nuk mund ta mbajë koncesionin e vetme, pasi VIA është shpallur fituese e procedurës së prokurimit mbi bazën e kapaciteteve teknike, financiare dhe njerëzore të kombinuara të të dy ortakëve si Bashkim Operatorësh Ekonomikë. Kolegji shprehet shprehimisht se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kurrë nuk do ta kishte shpallur fitues dhe nuk do ta kishte lidhur kontratën e koncesionit vetëm me "2A Group" (para. 46). Për rrjedhojë, çdo ndryshim në strukturën e kapitalit apo të organizimit të VIA-së i nënshtrohet detyrimisht miratimit paraprak me shkrim të Entit Prokurues, MIE-së, në mungesë të të cilit çdo veprim juridik është absolutisht i pavlefshëm (para. 45).
5. Bllokimi nga gjykata i ortakut mazhoritar (Mabco) për të ndryshuar administratorin, është i paligjshëm.
Bllokimi i ortakut mazhoritar "Mabco Constructions" S.A. nga ushtrimi i të drejtave të tij për ndryshimin e administratorit apo të selisë së shoqërisë, me pretendimin se këto veprime paraqesin rrezik për ortakun e pakicës apo shoqërinë, ka qenë i paligjshëm dhe deklarohet përfundimisht i tillë. Kolegji arsyetoi se këto veprime lejohen nga ligji dhe nuk mund të përbëjnë bazë për pezullimin e plotë të të drejtave të ortakut mazhoritar, kundërshtimi i tyre u përket gjykimeve mbi themelin e çështjes dhe jo masave të sigurimit të padisë (para. 69).
6. Kuotat e pretenduara kanë kusht, miratimin paraprak të entit prokurues dhe regjistrimin e kontratës.
Pretendimet e "2A Group" mbi njohjen e pronësisë për 47% të kuotave janë të mbrojtura nga masa e sigurimit e vendimit nr. 1777/2025 të Gjykatës së Apelit, e cila ka pezulluar të drejtën e votës së Mabco-së vetëm për tjetërsimin e këtyre kuotave ndaj të tretëve dhe e cila mbetet në fuqi si vendim i formës së prerë (para. 70). Megjithatë, Kolegji sqaroi se kontrata noteriale e shitblerjes së 47% të kuotave, datë 03.04.2025, nuk mund të regjistrohet në QKB dhe nuk mund të prodhojë efekte juridike të plota pa miratimin paraprak me shkrim të Entit Prokurues, MIE-së, siç kërkohet nga ligji nr. 125/2013 "Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat" (para. 45).
7. Pretendimet lidhur me "Delphos" rrëzohen si të pabazuara në ligj
Pretendimet e palëve në lidhje me kontratën e huas të datës 26.03.2025, të lidhur ndërmjet "Mabco Constructions" S.A. dhe "Delphos Securities SARL Compartment Bernina", rrëzohen përfundimisht si të pabazuara dhe në kundërshtim me ligjin (para. 71). Kolegji arsyetoi së pari se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është pronë e Republikës së Shqipërisë dhe as VIA dhe as ortakët e saj nuk mund të vënë si garanci një pasuri që nuk është në pronësinë e tyre dhe as në qarkullim civil, çdo veprim i tillë, pa miratimin e Shtetit Shqiptar, është absolutisht i pavlefshëm, nul dhe i paqenë, duke mos prodhuar asnjë pasojë juridike (para. 79). Së dyti, kërkimi për sigurimin e padisë lidhur me këtë kontratë nuk mbështetej në asnjë provë shkresore të vlefshme sipas neneve 202, 213 dhe 246 të Kodit të Procedurës Civile, pasi dokumenti i paraqitur ishte i panënshkruar, i pafirmosur, i panoterizuar dhe i papërkthyer (para. 77).
Në një analizë të shkurtër: (shënimi im)
Vendimet e Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë janë përfundimtare dhe të mbipushtetshëm si ndaj gjykatave më të ulta dhe ndaj pushteteve të tjera legjislativ e ekzekutiv. Behgjet Pacolli dhe grupi i tij Mabetex Holding nuk ka ardhur në Shqipëri të bëjë biznes me "Valonët" si ortakë të një shoqërie të zakonshme për të hapur një dyqan.
Ka ardhur të bëjë biznes me shtetin shqiptar ndaj ka investuar 90 milionë euro dhe lënë garanci mbi 200 milion të tjerë. Çdo pretendim për ta trajtuar ndryshe, si nje konflikt jashtë detyrave shteterore bie në kundërshtim të hapur me vendimin e Gjykatës së Lartë.
Pezullimi dhe bllokimi i së drejtës së votës së ortakut mazhoritar jo vetëm që është i paligjshëm por ka sjellë neutralizimin dhe ekzekutimin në një “prite ligjore” dhe “labyrinth” të paligjshëm juridik të të drejtave dhe detyrimeve të Mabco për përfundimin e aeroportit të Vlorës.
Autoriteti kontraktor duhet ta kishte parë dhe duhet ta shohë bllokimin e aeroportit si një çështje të lidhur me ligjin e koncesioneve dhe detyrimeve për te ushtruar detyrën në anën e ligjit. Heshtja, qëndrimi larg deri në vendimin e mësipërm të Gjykatës së Lartë ka marrë përgjigjen përfundimtare nga Gjykata e Lartë. “2 A grup” qe ka 2% nuk legjitimohet as të kërkojë masa sigurimi ndaj 98% dhe jo më të bllokojë kantierin dhe të marrë peng një pasuri që do t’i përkasë shqiptarëve në fund të koncesionit ndaj heshtja dhe mosveprimi është në dëm të interesave kombëtare.
Është e drejtë e ortakut në mazhorancë Mabco të caktojë administratorin dhe selinë si për çdo kompani në Shqipëri në botë, bllokimi i kësaj të drejte ka qenë dhe mbetet e paligjshme. Përpjekja e avokaturës së shtetit për të bllokuar këtë të drejtë të fituar nga Gjykata e Lartë ngrenë shqetësime serioze. Pretendimi në lidhje me “Delphos” dhe mashtrimi publik i përhapur në media nga ortaku minoritar dhe deri te autoritetet apo avokatura e shtetit me qëllim dëmtimin e rëndë te figurës së Z. Pacolli sikur aeroportin do e merrnin rusët, u deklarua tërësisht dhe përfundimisht e pabazuar nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë.
Autoritetet që heshtën dhe më pas ushqyen opinionin publik për të justifikuar bllokimin e Mabco duhet sot kur kanë marrë zyrtarisht vendimin e Gjykatës së Lartë të kërkojnë falje Behgjet Pacollit dhe familjes së tij, të heqin dorë përfundimisht nga kërkimet dhe ankimet për të bllokuar mbledhjen e asamblesë dhe të ç‘bllokojnë hyrjen nga rojet private dhe ortaku 2% që shqiptarët të kenë aeroportin e Vlorës.
Behgjet Pacolli ka të drejtë kur thotë se erdha te investoj në Shqipëri si një Republikë e sundimit të ligjit dhe jo Republikë e Rojeve private.
