Banorët e fshatrave në zonën e Patos-Marinzës kanë dalë sot në protestë dhe kërkojnë nga kompania kineze naftënxjerrëse Banker Petroleum, që t'u paguajë qiranë për zënien e tokave të tyre, sipas një kontrate të nënshkruar në vitin 2010.
Ata nuk kanë marrë pagesën vjetore dhe pavarësisht se ka kaluar më tepër se gjysma e vitit 2026, kompania ende nuk ka bërë pagesën e detyrimeve ndaj tyre, për dhjetëra hektarë tokë në përdorim.
Banorët e fshatrave Marinëz, Belinë, Sheqishte, Zharrëz, Kallm, Frashër dhe Kuman deklarojnë se rreth 800 persona nuk kanë marrë pagesën vjetore të qirasë që prej fillimit të vitit 2026. Sipas tyre, tokat përdoren nga kompania për rrugë, parkingje, sheshe dhe puse nafte prej vitit 2010.
Ata kërkojnë respektimin e marrëveshjeve ekzistuese të nënshkruar mes palëve dhe kundërshtojnë tentativën për ndryshim të njëanshëm të kontratës, nga pagesë vjetore në dyvjeçare, si dhe uljen e vlerës së qirasë nga 400 lekë në 200 lekë për metër katror.
Banorët kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestës nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh dhe rikthimin e tokave në gjendjen e mëparshme nëse kinezët e Bankers Petroleum vazhdojnë me tentativat për të ndryshuar kontratën.
Të ardhurat nga qiraja e tokave përbëjnë një nga burimet kryesore të të ardhurave familjare, pasi ato janë marrë në përdorim nga kompania Bankers Petroleum dhe prej vitit 2010, ata as mund të shkelin në këto toka, edhe përse janë pronë e tyre.
Një vit nga hetimet dhe goditja që Prokuroria e Fierit dhe SPAK i dhanë kësaj kompanie, për dëmin e shkaktuar shtetit në vlerë miliarda lekë, duket se kinezët që e menaxhojnë janë rikthyer sërish te avazi i vjetër duke mos zbatuar kontratat e dakordësuara me pëlqimin e tyre dhe mospagesat për banorët.

