Gjykata e Tiranës, këtë të mërkurë, ka dënuar dy ish-zyrtarët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Artjol Saliasi dhe Gëzim Sala, të cilët u akuzuan për shpërdorim detyre. Bëhet me dije se dy ish-zyrtarët e AMP-së janë dënuar fillimisht me nga 9 muaj burg secili, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi është ulur me 1/3, duke u konvertuar përfundimisht në 6 muaj heqje lirie.
Por Artjol Saliasi dhe Gëzim Sala nuk do të vuajnë asnjë ditë në qeli, pasi gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe zëvendësimin e tij me 1 vit shërbim prove. Dënimi i dy ish-zyrtarëve lidhet me mosrespektimin e ligjit gjatë procedurës së ndjekur për punësimin në këtë agjenci të Muçi Shaljanit, i cili humbi jetën disa ditë pas atentatit të ndodhur në nëntor të vitit të kaluar në Rinas.
Në atë atentat humbi jetën edhe Gilmando Dani, i cili konsiderohej si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 9 muaj nga ajo ngjarje, policia ende nuk ka arritur ta zbardhë atentatin që tronditi opinionin publik.
