Prokuroria e Posaçme ka kërkuar rrëzimin e 23 kërkesave të paraqitura nga ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, në procesin gjyqësot të dosjes “Sterilizimi”. Raportohet se gjatë seancës së sotme, prokurori Edvin Kondili u shpreh se kërkesat e ish-ministrit, përmes së cilave ai kundërshton akuzat dhe veprimet proceduriale të organit hetues, janë të pabazuara në ligj dhe për këtë arsye duhet të rrëzohen.
SPAK ka arsyetuar se në shumicën e rasteve, pretendimet e Beqajt kanë marrë përgjigje gjatë fazës së hetimeve, respektivisht në seancën paraprake dhe në vendimin e gjykatës që pranoi kërkesën e kalimit të çështjes për gjykim. Lidhur me kërkesën për pavlefshmërinë e aktit të njoftimit të akuzës, SPAK argumentoi se ajo nuk mbështetet në ligj. “Veprimet janë aprovuar nga gjyqtari paraprak me vendimin për pranimin e kërkesës për gjykim”, u shpreh prokurori.
Ndërsa sa i përket pretendimit të Beqajt, se akuza për vjedhje nuk aprovohet prokuroria është shprehur se nuk paraqet kërkesa konkrete por ngre pyetje të cilat sipas saj janë sqaruar dhe do të trajtohen në konkluzionet përfundimtare të palëve. SPAK kundërshtoi gjithashtu kërkesën për përjashtimin e të dhënave elektronike të sekuestruara nga një kompjuter, duke argumentuar se ato janë siguruar përmes veprimeve procedurale në përputhje me ligjin.
Sa i përket kërkesës për pavlefshmërinë e akuzës për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” prokuroria ka vllerësuar se akuza është e bazuar në ligj dhe se burimet e provës, faktet dhe vlera e dëmit të pretenduar ndaj shtetit janë trajtuar në vendimin e gjyqtarit të seancës paraprake. SPAK kundërshtoi edhe pretendimin e Beqajt për mungesën e kontratës origjinale të prokurimit. Sipas prokurorisë, kontrata origjinale nuk është gjetur në Ministrinë e Shëndetësisë, çka përbën shkelje administrative, por është administruar një kopje e njësuar në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Ndërkohë mësohet se seanca për dosjen “Sterilizimi” është shtyrë për në datën 11 shtator ora 11:00, pasi gjykata nuk ka qenë gati për t’u shprehur mbi kërkesat e palëve.
Kujtojmë se Ilir Beqaj u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit. Ndaj tij u caktua masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur” para një hetuesi apo oficeri të Policisë Gjyqësore një herë në javë, çdo të premte në orën 15.30. Gjithashtu, Ilir Beqajt iu komunikua dhe masa e dytë “Ndalim i daljes jashtë vendit”.
Në Gusht të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme arrestoi ish-zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, nën akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim, lidhur me koncensionin e sterilizimit afro 100 milionë euro 8 vjet më parë.
