Një 32 vjeçar nga Tirana është arrestuar në kushtet e flagrancës, në një degë postare në rrugën “Asim Vokshi”, pasi shërbimet për Hetimin e Trafiqeve kishin marrë informacion për trafikim të pjesëve të armëve të zjarrit.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta operacionale, të kryera pas indicieve për një rast të trafikimit të pjesëve të armëve të zjarrit, nëpërmjet shërbimit postar, nga ShBA-ja në Shqipëri, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan operacionin e koduar “Delivery”.
Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 32 vjeç, banues në Tiranë, teksa merrte një pako me pjesë armësh, në një degë postare në rrugën “Asim Vokshi”.
Pjesët e gjetura në pako dyshohet se janë trafikuar nga ShBA-ja dhe përfshijnë, 1 tytë arme zjarri, 1 silenciator, 2 krehra dhe pjesë të tyre, si dhe 2 celularë
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve bën me dije se hetimi vijon për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
