Një ngjarje e rëndë mësohet të ketë ndodhur mesditën e kësaj të premte në kryeqytet ku thuhet se një efektiv i Policisë Rrugore është sulmuar teksa ndodhej në krye të detyrës.
Burime për mediat bëjnë me dije se shtetasi Dorian Kaso ka sulmuar me thikë një efektiv të Policisë Rrugore.
Sipas informacioneve paraprake efektivi i Policisë Rrugore Loren Rama, i cili ndodhej në shërbim në zonën e Casa Italias, është sulmuar me thikë nga Kaso. Raportohet se agresori i është afruar punonjësit të policisë nga pas dhe i ka vendosur thikën në zonën e qafës.
Pavarësisht sulmit të papritur, efektivi Rama ka reaguar menjëherë dhe me lëvizje të shpejta ka arritur të shmangë goditjen fatale, duke e neutralizuar agresorin në kohë.
"Për një moment nuk e kuptova se kush ishte ky person pasi nuk e njihja. Kur e pashë që më vendosi thikën në qafë reagova menjëherë dhe e kapa me të dyja duart", ka sqaruar efektivi , ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbardhjen e kësaj ngjarje dhe pritet të japin më shumë detaje në vijim.
