Gjin Kolbucaj, një shtetas shqiptar i dënuar me 20 vite burgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vrasjen e gruas së tij Ljulaja Kolbucaj, në mars 2006, është arrestuar nga agjentët e ICE menjëherë sapo ka përfunduar dënimin.
Ai dhe bashkëshortja ishin martuar në Shqipëri dhe emigruan në Amerikë për një jetë më të mirë, por në rrethana të paqarta, Gjini vrau bashkëshorten në shtëpinë e tyre, në Sterling Heights, Miçigan.
Ljulaja Kolbucaj ishte me origjinë nga Jugosllavia dhe ndërroi jetë në vend, duke lënë dy fëmijët e tyre të mitur pa nënë. Bashkëshorti shqiptar tentoi më pas të vriste veten me dy plumba në gjoks, por mbijetoi.
Drejtësia amerikane e dënoi Gjin Kolbucaj me 20 vite burg dhe pak ditë më parë, ai është liruar nga qelia.
Mirëpo, agjentët e ICE Detroit (shërbimi për dëbimin e shtetasve joamerikanë nga SHBA) e arrestuan atë pas lirimit të tij nga Qendra Korrektuese Richard A. Handlon në Ionia dhe do ta mbajnë në qeli derisa të përfundojnë procedurat e dëbimit, për në Shqipëri.
Mediat amerikane e kanë pasqyruar rastin, duke rikthyer në vëmendje ngjarjen dramatike të dy dekadave më parë, kur të shtënat i lanë dy fëmijët e Kolbucajve, një djalë 9-vjeçar dhe një vajzë 11-vjeçare, pa prindër.
Të drejtat prindërore të Gjin Kolbucaj janë hequr. Veç tentativës së parë për të vrarë veten në vendngjarje, shqiptari tentoi vetëvrasjen edhe në burg, por sërish mbijetoi. Tani, Gjin Kolbucaj përballet me procedurat e dëbimit në Amerikë dhe e pret rikthimi pas më shumë se 20 vitesh në Shqipëri.
© Newsbomb.al
