Ndërsa vende të ndryshme të Evropës si Franca apo Spanja po fokusohen te kufizimi i rrjeteve sociale për të miturit nën 15 vjeç, Italia ka zgjedhur ta trajtojë ndryshe këtë fenomen duke u përqendruar te parandalimi dhe edukimi.
Italia do të hapë për herë të parë një qendër të specializuar për varësinë nga rrjetet sociale dhe përdorimin e tepruar të teknologjisë, e cila do të ketë si qëllim ofrimin e disa programeve këshillimi dhe orientimi që do të nxisin ndërveprimin personal si lojërat në tavolinë dhe punën në grup.
Projekti Discover - Out of the shell do të nisë punën në Firenze dhe do të përfshijë të rinjtë nga mosha 10 deri 25 vjeç. Kjo është një nismë që nuk fokusohet te ndalimi, por te parandalimi dhe këshillimi për të trajtuar fenomenin e varësisë nga bota digjitale që prek të rinjtë.
"Teknologjia është pjesë e jetës së përditshme të të rinjve dhe ofron mundësi të jashtëzakonshme. Pikërisht për këtë arsye duhet t’i ndihmojmë ta përdorin me më shumë ndërgjegjësim dhe të gjejnë ekuilibër mes kohës online dhe jetës reale", tha këshilltarja për Politikat Rinore në Bashkinë e Firences, Letizia Perini.
Sipas drejtueses së Retesviluppo, Ester Macri, ideja është që të rinjtë të jenë të aftë të shkëputen herë pas here nga ekranet e telefonave apo kompjuterëve të tyre dhe të kthehen në përdorues pasivë. Kjo qendër gjithashtu do të qëndrojë e hapur edhe për prindërit dhe edukatorët.
