Policia e Kurbinit ka arrestuar në flagrancë dy persona në vendin ku ata kishin kultivuar bimë narkotike.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga kanë rënë shtetasit Alfons Halili, 25 vjeç, dhe Seldi Tafa, 19 vjeç, banues në Fushë-Milot, Kurbin. Ata dyshohen se kanë bashkëpunuar në kultivimin e bimëve narkotike.
Gjatë operacionit, policia zbuloi dhe asgjësoi me djegie bimë të dyshuara Cannabis Sativa. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Njoftimi i Policisë:
Kurbin
Finalizohet operacioni i koduar “Vigjilenca 3”, goditet një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike.
Arrestohen 2 autorët e dyshuar të rastit, të cilët u kapën në flagrancë në vendin ku ishin kultivuar bimët narkotike, në fshatin Skuraj.
Në kuadër të kontrolleve intensive që po zhvillohen në të gjithë territorin e qarkut Lezhë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, finalizuan operacionin e koduar “Vigjilenca 3”.
Gjatë operacionit, në territorin e fshatit Skuraj, u konstatuan bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Shërbimet e Policisë kapën në flagrancë, në vendin ku ishin kultivuar këto bimë, dhe arrestuan shtetasit A. H., 25 vjeç, dhe S. T., 19 vjeç, banues në Fushë Milot, Kurbin, të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Kontrollet antikanabis vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Lezhë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
