Hapësire reklamuese

Aktualitet

Kishte kthyer shtëpinë në thertore dhe mbetjet i shkarkonte në lumin Vjosë, arrestohet 62-vjeçari në Përmet

Shkruar nga Newsbomb
Kishte kthyer shtëpinë në thertore dhe mbetjet i shkarkonte
Foto nga banesa

Policia e Përmetit ka arrestuar në flagrancë një 62-vjeçar, i cili kishte përshtatur banesën e tij në fshatin Qilarisht si thertore të paligjshme.

Sipas njoftimit të policisë, në pranga është vënë shtetasi A. L., 62 vjeç, banues në fshatin Qilarisht, Përmet.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë konstatuan një ambient të përshtatur si thertore për bagëti të imta.

Brenda në ambient u gjetën dhjetëra krerë bagëti në proces therjeje, si dhe një pjesë e tyre tashmë të therura. Gjithashtu, u sekuestruan dhjetëra matrikuj për bagëti, të dyshuara si të falsifikuara.

Në vijim të kontrollit, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim AKU-në konstatuan edhe një tubacion përmes të cilit mbetjet e therjes shkarkoheshin direkt në lumin Vjosë, duke shkaktuar ndotje të mjedisit dhe të ujërave.

AKU ndërhyri menjëherë duke bllokuar ambientin ku ushtrohej kjo veprimtari e paligjshme, nisi procedurat administrative përkatëse dhe ndëshkoi pronarin e ambientit me masë administrative 200 000 lekë të rinj.

Njoftimi i Policisë:

Përmet

Kishte përshtatur një ambient të banesës së tij, në fshatin Qilarisht, si thertore dhe mbetjet i hidhte në lumin Vjosë, vihet në pranga 62-vjeçari.

Procedohen penalisht 2 veterinerë, për shpërdorim detyre.

AKU bllokon ambientin ku ushtrohej kjo veprimtari e paligjshme dhe ndëshkon pronarin me masë administrative 200 000 lekë të rinj.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet dhe të Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me AKU Gjirokastër, bazuar edhe në informacionet e siguruara se një shtetas kishte përshtatur një ambient si thertore jashtë kushteve minimale higjieno-sanitare dhe mbetjet e krijuara nga kjo veprimtari i hidhte në lumin Vjosë, ushtruan kontroll në këtë ambient.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. L., u konstatua një ambient i përshtatur si thertore për bagëti të imta, ku u gjetën dhjetëra bagëti në proces therjeje, si dhe një pjesë e tyre të therura. Gjithashtu, u gjetën dhjetëra matrikuj për bagëti, të dyshuara të falsifikuara.

Në vijim të kontrollit, shërbimet e Policisë dhe të AKU-së konstatuan një tubacion përmes të cilit mbetjet e therjes shkarkoheshin dhe hidheshin në lumin Vjosë, duke shkaktuar ndotje të mjedisit dhe të ujërave.

AKU ndërhyri menjëherë duke bllokuar ambientin ku ushtrohej kjo veprimtari e paligjshme, nisi procedurat administrative përkatëse dhe ndëshkoi pronarin e ambientit me masë administrative 200 000 lekë të rinj.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare arrestuan në flagrancë shtetasin A. L., 62 vjeç, banues në fshatin Qilarisht, Përmet, pronar i ambientit, për veprat penale "Fshehja e të ardhurave", "Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale dhe ushqimore", "Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve" dhe "Ndotja e ujërave".

Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit L. D., 54 vjeç, dhe Y. H., 66 vjeç, të dy banues në Përmet, me detyrë veterinerë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës", pasi dyshohet se nuk kanë ushtruar kontrollet dhe nuk kanë marrë masat që u ngarkon ligji për bagëtitë e 62-vjeçarit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur në misionin e saj për evidentimin dhe goditjen e çdo veprimtarie të paligjshme që dëmton mjedisin, cenon sigurinë ushqimore dhe rrezikon shëndetin e qytetarëve.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese