Këto pamje janë regjistruar në autostradën e re me drejtim nga Tirana për në Durrës, në afërsi të Kasharit apo Laknasit dhe tregojnë një situatë vërtet shqetësuese për sigurinë rrugore dhe jetën e përdoruesve të rrugës.
Siç dallohet dhe nga video që po shpërndahet me shpejtësi në rrjetet sociale, pas publikimit në Tik Tok nga vetë drejtuesi i mjetit Audi, ai lëviz me shpejtësi marramendëse me 310 km/h në nyjen e re të autostradës nga Tirana me drejtim Vorën dhe Durrësin.
Sikur të mos mjaftonte shpejtësia e lartë që në çdo moment mund të kishte rezultuar fatale për të dhe drejtuesit e tjerë të rrugës, pasi pavarësisht se është natë shihet që në autostradë ka dhe prezencë të mjeteve të tjera, shoferi i bën karshillëk edhe Policisë së Shtetit.
Në një nga xhepat e autostradës, pranë qendrës tregtare QTU, dallohet një patrullë policie e ndaluar për shkak se një automjet është përfshirë nga flakët.
I riu ngadalëson shpejtësinë, por jo më pak se 200 km/h, dhe "fluturon" përpara patrullës. Lëvizja vazhdon me shpejtësi skëterrë edhe në pjesën tjetër të autostradës dhe në përfundim të saj, ku drejtuesi i Audit manovron rrezikshëm në disa kthesa të ngushta.
