Policia e Kurbinit ka shpallur në kërkim një 47-vjeçar, i dyshuar si autor i plagosjes së një 22-vjeçari ditën e djeshme.
Sipas njoftimit të policisë, në kërkim është shpallur Klodjan Ndoj, i cili se nën kërcënimin e armës, ka plagosur në këmbë shtetasin Veron Pasha, 22 vjeç, dhe më pas i ka marrë me forcë automjetin.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, shërbimet e policisë sekuestruan dy gëzhoja në cilësinë e provës materiale. Policia vijon punën për kapjen e 47-vjeçarit dhe për gjetjen e automjetit të marrë me forcë.
Pasha fillimisht ësht transportuar drejt spitalit nga vëllai i tij, ndërsa më pas është dërguar në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i Policisë:
Zbardhet ngjarja ku u plagos me armë zjarri në këmbë një 22-vjeçar.
Shpallet në kërkim një 47-vjeçar, i dyshuar si autori i ngjarjes, i cili pas plagosjes u largua nga vendi i ngjarjes duke marrë, nën kërcënimin e armës, edhe automjetin e 22-vjeçarit, Klodjan Ndoj.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur më datë 25.07.2026, bazuar në provat e siguruara, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e Komisariatit të Policisë Kurbin, identifikuan dhe shpallën në kërkim shtetasin K. N., 47 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin, i dyshuar si autor i plagosjes me armë zjarri të shtetasit V. P., 22 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet hetimore rezultoi se autori, pas plagosjes, është larguar nga vendi i ngjarjes, duke i marrë 22-vjeçarit, nën kërcënimin e armës, automjetin.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 gëzhoja.
Punohet intensivisht për kapjen e autorit dhe gjetjen e automjetit të 22-vjeçarit.
Ndërkohë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja me armë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

