Një tjetër operacion i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është ndërmarrë gjatë orëve të fundit të kësaj të enjteje, këtë herë në juglindje të vendit, konkretisht në Devoll.
Ku ashtu si raportuam më parë, janë angazhuar edhë hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit të cilët kanë kryer kontrolle në kuadër të një procedimi penal për shpërdorim detyre. Ndërkohë detaje të reja kanë dalë në dritë nga ky operacion, si cili vjen në kuadër të një procedimi penal i cili në fakt është ndjekur fillimisht nga Prokuroria e Elbasanit, që ka ekzekutuar masat e sigurimit të vendosura në gjykatë ndaj tre personave.
Sipas një njoftimi të AMP-së masat e GJKKO janë zbatuar ndaj Glodian Ahmetaj, ish Drejtor Dege në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në degën e Juglindjes, Devis Ramadan Ago, ish Shef Sektori në AMP, si edhe ndaj Klevis Hoxhës, për të cilin raportuam më parë që rezulton të jetë ish-drejtor i policisë Bashkiake në Devoll, dhe ka pasur lidhje të afërta shoqërore më Agon.
Ndaj Glodian Ahmetajt është vendosur masa e sigurimit “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, ndaj Devis Agos është vendosur masa e sigurisë “Paraqitja në Policinë Gjyqësore” me detyrimin për t’u paraqitur javën e parë të çdo muaji, ditën e hënë. Ndërsa ndaj mikut të këtij të fundit, Klevis Hoxhës i janë vendosur masat e sigurisë "Paraqitja në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Njoftimi i plotë:
“Në zbatim të vendimit gjyqësor, ndaj shtetasit Glodian Gëzim Ahmetaj është caktuar masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, duke u urdhëruar të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë dhe të dorëzojë pranë Policisë Gjyqësore dokumentet e vlefshme që shërbejnë për kalimin e kufirit shtetëror.
Ndaj shtetasit Klevis Hoxha janë caktuar masat e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Ai është detyruar të paraqitet pranë Policisë Gjyqësore javën e parë të çdo muaji, ditën e hënë, ora 11:00, si dhe të dorëzojë dokumentet e udhëtimit sipas përcaktimeve të vendimit gjyqësor.
Ndaj shtetasit Devis Ago është caktuar masa e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore”, me detyrimin për t’u paraqitur javën e parë të çdo muaji, ditën e hënë, ora 12:00.
Gjatë operacionit janë ekzekutuar të gjitha detyrimet e përcaktuara nga gjykata, ndërsa me urdhër të autoritetit procedues janë ushtruar edhe tre kontrolle banesash me qëllim kërkimin dhe administrimin e provave me interes për hetimin.
Shtetasit Glodian Ahmetaj, ish Drejtor Dege në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, dhe Devis Ramadan Ago, ish Shef Sektori në AMP, janë subjekt i këtij procedimi penal dhe i masave të sigurisë të vendosura nga gjykata.”

