Detaje të reja janë mësuar nga operacioni i zhvilluar në orët e para të mëngjesit të kësaj të premte nga Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, në kaudër të një hetimi për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
Burime për mediat konfirmojnë se SPAK ka firmosur 20 masa sigurie për biznesmenë të ndryshëm të cilët operojnë në vendin tonë. Deri më tani raportohet se është arrestuar Orest Sota, ndërsa mes personave për të cilët është lëshuar urdhërarresti figurojnë edhe Ilir Shtufi dhe biznesmeni shqiptar Artur Shehu, i cili prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Emri i Shehut ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave përgjatë ditëve të fundit për shkak të hetimeve që lidhen me pronat në zonën e Zvërnecit. Biznesmeni pretendon se ësht një nga pronarët më të mëdhenj të tokave në zonën e Nartës dhe Zvërnecit, ku parashikohen investime të rëndësishme turistike.
Vetë Shehu ka deklaruar publikisht se prona prej 460 hektarësh i përket prej kohësh familjes së tij dhe se disponon dokumentacionin ligjor që sipas tij vërteton pasurinë.
Ai ka bërë të dituri gjithashtu se zotëron certefikata pronësie për mbi 250 hektarë dhe është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojë me organet e drejtësisë për çdo verifikim të nevojshëm.


