Një tjetër skandal ka dalë në dritë në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku tre zyrtare akuzohen se kanë përvetësuar fondet për pensionet dhe ndihmat sociale të qytetarëve. Bëhet fjalë për një shumë prej 69 milionë lekësh të rinj, e cila nuk është arkëtuar në degët e Shijakut dhe Krujës, duke ngritur dyshime të forta për një skemë të organizuar abuzimi me detyrën.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se gjithçka nisi pas konstatimit të mospërputhjeve në administrimin e fondeve, çka solli denoncimin e rastit pranë organeve kompetente. Pas verifikimeve dhe veprimeve hetimore të kryera nga Prokuroria dhe strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, u dokumentuan dyshimet për përvetësimin e shumës së konsiderueshme, e cila ishte planifikuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e zonave të Shijakut dhe Krujës.
Në kuadër të operacionit policor të koduar "Filiali" u ndaluan drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare Durrës, Elisabeta Mataj, shefja e financës Valbona Doni si dhe arkëtarja Paola Dana. Sipas hetimeve paraprake, tre zyrtaret dyshohet se gjatë muajve prill dhe maj 2026 kanë përvetësuar fondet publike duke shpërdoruar detyrën që ushtronin.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Vjedhja duke shpërdoruar detyrën", të kryera në bashkëpunim. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht mekanizmin e kësaj skeme dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë rast, i cili konsiderohet një nga goditjet më të rëndësishme të muajve të fundit në luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar.
"Nga hetimet dyshohet se, gjatë muajve prill dhe maj 2026, këto shtetase kanë përvetësuar shumën 69 milionë lekë të rinj, e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës, për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale", thuhet në njoftimin e Policisë.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:
Policia e Shtetit
Finalizohet operacioni policor i koduar "Filiali", i zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Durrës dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Nuk arkëtuan në arkën e degëve Shijak dhe Krujë, shumën 69 milionë lekë të rinj, të destinuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale, vihen në pranga drejtoresha, shefja e financës dhe arkëtarja e filialit të Postës Shqiptare, Durrës.
Në vijim të operacioneve për goditjen e krimeve ekonomike dhe financiare, Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Durrës dhe në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, finalizoi operacionin policor të koduar "Filiali".
Në kuadër të operacionit u ndaluan shtetaset:
-E. M., 41 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare Durrës;
-V. D., 59 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë shefe e financës në filialin e Postës Shqiptare Durrës;
-P. D., 39 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë arkëtare/llogaritare në filialin e Postës Shqiptare Durës.
Ndalimi i tyre u bë në funksion të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria, për veprat "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Vjedhja duke shpërdoruar detyrën", të kryera në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se, gjatë muajve prill dhe maj 2026, këto shtetase kanë përvetësuar shumën 69 milionë lekë të rinj, e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës, për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
