Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

VIDEO/ Floriri kontrabandë nga Italia e Greqia shitej në argjendaritë e Fierit dhe Lushnjës, sekuestrohen 20 kg ar e argjend, 612 ora dhe 13 varëse me gurë diamanti

Shkruar nga Newsbomb
VIDEO/ Floriri kontrabandë nga Italia e Greqia shitej në
Pamje nga operacioni ne argjendarite e Fierit dhe Lushnjes

Një person është arrestuar, një tjetër është shpallur në kërkim dhe shtatë të tjerë janë proceduar penalisht nga Policia e Shtetit, pasi dyshohet se janë përfshirë në një skemë kriminale për kontrabandimin e floririt dhe sendeve të tjera me vlerë nga Italia dhe Greqia.

27 vjeçari i arrestuar me iniciale D. S dhe i shpalluri në kërkim B. A., 45 vjeç, dyshohet se siguronin sende me vlerë në Itali dhe Greqi, i fusnin kontrabandë në Shqipëri dhe i tregtonin në argjendari në Fier dhe Lushnjë. Shtatë të proceduarit, janë pronarët e argjendarive.

Shërbimet e Policisë së Fierit kanë sekuestruar 15 kg e 259 gramë ar, 4 kg e 281 gramë argjend, 612 ora të markave të ndryshme, 13 varëse me gurë diamanti, sende të dyshuara me vlerë artistike e kulturore, para në lekë dhe euro, aparate celularë, DVR dhe sende të tjera.

Vlera paraprake e sendeve të sekuestruara llogaritet rreth 2 milionë euro.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Fier, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit, Komisariatet e Policisë Fier dhe Lushnjë, nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit, pas një hetimi disamujor të zhvilluar me metoda speciale hetimi, finalizuan operacionin policor të koduar “Stolen Gold”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasit: • D. S., 27 vjeç, banues në fshatin Kreshpan, Fier.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas siguronte në mënyrë të kundërligjshme sende me vlerë, bizhuteri ari dhe argjendi, ora të markave të ndryshme, si dhe objekte të tjera me interes ekonomik, të cilat dyshohet se ishin përfituar nga vjedhje të kryera jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kryesisht në Itali dhe Greqi, dhe më pas i tregtonte në subjekte argjendarie të ndryshme.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan bizhuteri, ora, sende të dyshuara me vlerë artistike dhe kulturore, si dhe fishekë arme gjahu.

Në vijim të veprimeve procedurale u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit:

• D. H., 45 vjeç, E. Gj., 38 vjeç, dhe A. Sh., 35 vjeç,  të tre banues në Fier si dhe  M. S., 39 vjeç, A. K., 62 vjeç, B. B., 65 vjeç, dhe  J. D., 41 vjeçe, të katërt banues në Lushnjë.

Këta shtetas, administratorë të subjekteve argjendarie, dyshohen se blinin dhe tregtonin sende të dyshuara si të vjedhura, të siguruara nga shtetasi D. S. Gjithashtu, nga verifikimet e kryera dyshohet se në subjektet e tyre tregtare disponoheshin mallra pa dokumentacion ligjor të origjinës, si dhe sende me vlerë të dyshuara si mall kontrabandë. Një pjesë e konsiderueshme e sendeve të sekuestruara u gjet edhe gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e tyre.

Në vijim të hetimeve u shpall në kërkim shtetasi:

• B. A., 45 vjeç, banues në fshatin Kraps, Fier.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ushtronte të njëjtën veprimtari kriminale me shtetasin D. S., duke siguruar sende me vlerë jashtë vendit dhe duke i tregtuar ato në argjendari të ndryshme në Fier dhe Lushnjë.

Gjatë kontrollit të banesës së tij u gjetën dhe u sekuestruan ora të markave të ndryshme, bizhuteri ari dhe argjendi, si dhe një shkop gome i ngjashëm me atë të Policisë. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese