Ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, ka ndarë këtë të martë pamje në rrjetet sociale nga puna e kontrolleve në terren në qytetin e Vlorë.
Sipas tij këto kontrolle kanë për synim garantimin e administrimit të rregullt të vijës bregdetare dhe mbrojtjen e hapësirave të plazheve publike.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja publikoi pamje nga puna e inspektorëve, duke theksuar se monitorimet e vazhdueshme dhe komunikimi me operatorët e stacioneve të plazhit po mundësojnë zbatimin e kontratave dhe respektimin e rregullores në fuqi.
"Në Vlorë, vijon çdo ditë puna në terren e inspektorëve të AKB-së për garantimin e administrimit të rregullt të vijës bregdetare dhe mbrojtjen e hapësirave të plazheve publike. Përmes monitorimeve të vazhdueshme dhe komunikimit me operatorët e stacioneve të plazhit, po garantohet zbatimi i kontratave dhe respektimi i rregullores në fuqi. Më shumë rregull. Më shumë hapësirë publike për qytetarët dhe pushuesit. Një bregdet për të gjithë," shkroi Gonxhja.
